Lëvizjet e fundit politike të Turqisë kanë nxitur debat jo vetëm në rajon por edhe më gjërë. Në një artikull të saj Bloomberg ka analizuar strategjinë e shfaqjes së forcës dhe retorikën luftarake të Rexhep Tajip Erdogan , i cili braktisi doktrinën e “problemeve zero” me shtetet fqinje dhe e çoi Turqinë në një trajektore konflikti.
Tashmë politika e jashtme e Turqisë duket se është problematike, pasi strategjia e saj kundërshtohet nga shumë vende me të cilat kufizohet me tokë ose kufizohet nga Mesdheu Lindor, siç janë Greqia, Qiproja, Siria, Izraeli, Iraku, Armenia dhe Egjipti, gjithashtu pjesë e kësaj problematike me qëndrime janë edhe Franca, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Në një kohë kur fuqitë e mëdha po tregojnë se nuk mund të bien dakord për asgjë, ata pothuajse duket se bien dakord se Erdogan është një ngatërrestar”, shkruhet ndër të tjera në artikull.
Ëashingtoni është një tjetër vend që përmes Departamentit të Shtetit ka kërkuar Turqisë që të ndalojë provokimet, me “Oruc Reis”. Ndërsa “shoku i tij” i mirë, Vladimir Putin, akuzon Turqinë për shtimin e “karburantit në zjarr” të mosmarrëveshjes Armeni-Azerbajxhan mbi Nag-Karabakun.
Ndërkohë e pritshme ishte kritika e Emanuel Macron për ndërhyrjen e Turqisë në Libi, por sjellja e Erdoganit në Mesdheun Lindor dhe Kaukaz është shtuar në listën e ankesave të presidentit francez dhe Angela Merkel , e cila po përpiqet të kundërshtojë vendet e tjera evropiane për sanksione ndaj Turqisë, është në një pozitë të vështirë pas rinisjes së kërkimeve nga anijet turke në ujërat e diskutueshme.
Gjithashtu Turqia është krituar nga India, e cila u bezdis nga komentet e Erdoganit në Asamblenë e Përgjithshme të KB mbi Kashmirin.
Ndërkohë duke e parë në një këndvështrim tregtar, fitimet nga lëvizjet e Erdogan mund të jenë shumë më të mëdha se çdo humbje për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Greqinë, Armeninë dhe Egjiptin, të cilët nuk janë midis partnerëve kryesorë tregtarë të Turqisë.
Fuqitë e mëdha hezitojnë të përdorin levat e presionit ekonomik në Turqi, ndërsa qeveria amerikane nuk e ka një problem të tillë, por Donald Trump ishte shumë i kujdesshëm në lidhje me vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë dhe sa herë që e bënte, ai i hiqte shpejt ato. /abcnews.al