Atmosfera në ambientet e Lazios prej ditësh nuk është e qetë, pasi ditët e fundit është raportuar se mes drejtorit sportiv, Igli Tares dhe presidentiti Claudio Lotito ka mosmarrëveshje dhe përplasje mes tyre sa i përket afrimeve gjatë kësaj merkatoje.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar vetë klubi i Lazios ku ka mohuar që mes dyshes së skuadrës italiane të ketë gjëra të tilla, duke i konsideruar zërat të pavërtetë dhe të pabazë.
“Në lidhje me lajmin e raportuar nga gazeta dhe media të ndryshme për një mosmarrëveshje të pretenduar mes Presidentit Lotito dhe DS Tare, saktësohet se këto zëra janë pa bazë dhe pa themel.
Në fakt, drejtori sportiv Igli Tare gëzon konsideratën dhe besimin e Klubit dhe Presidentit të saj, dhe do të vazhdojë të luajë, si gjithmonë, rolin e drejtorit sportiv të ekipit të parë.
Hyrja në klub e drejtorit Angelo Fabiani ka lidhje me drejtimin e ekipit të parë të femrave, dhe ekipeve primavera të femrave dhe meshkujve”, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit italian.
Ndërkohë, Lazio ka rinovuar kontratën deri në vitin 2027 me Patricio Gabarron Gil (Patric). 29-vjeçari luan si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i djathtë. Ai është pjesë e bardhekaltërve prej vitit 2015. /f.a/abcnews.al