Mosmarrëveshja BE-Orban dhe “arma bërthamore” e europianëve

schedule10:40 - 26 Janar, 2024

schedule 10:40 - 26 Janar, 2024

Pas vitesh qetësi politike ndaj Hungarisë, europianët deklarojnë se, nëse Budapesti ndahet për çështjen e Ukrainës, e paimagjinueshme deri tani, përjashtimi i tij nga procedurat e votimit të Bashkimit Europian, do të konsiderohet një rrezik i afërt.

Udhëheqësit europianë do të takohen javën e ardhshme për të miratuar një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila brenda një muaji hyn në vitin e tretë të luftës, të cilën kryeministri hungarez e ka kundërshtuar.

Euroskeptiku dhe pro-rusi Orban, kishte deklaruar që në fillim të luftës se për të zgjidhur krizën ukrainase, Kievi dhe Moska duhet të bashkëpunojnë.

Kujtojmë se në Samitin e 17 dhjetorit, BE më në fund arriti që të nisnin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, pavarësisht kundërshtimit të Viktor Orban, i cili u largua nga salla e konferencave në momentin e vendimit, në këmbim të lirimit të fondeve të ngrira në vlerën 10.2 miliardë euro për Budapestin, raporton abcnews.al.

Europianët po shqyrtojnë skenarin e aktivizimit të të ashtuquajturit Neni 7, “arma e tyre bërthamore”.

Më e rënda, pra një sanksion politik ndaj një shteti anëtar të Bashkimit Europianqë përfshin, ndër të tjera, pezullimin e të drejtës së votës për vendimet e Bashkimit Europian.

Në mënyrë të veçantë, si një mekanizëm sanksionues, neni 7(2) i Traktatit për Bashkimin Europian i lejon Këshillit të pezullojë disa të drejta të shtetit anëtar, duke përfshirë të drejtat e tij të votës në Këshill.

“E gjithë kjo përmbledh pak a shumë se ku ka arritur besimi midis Orbanit dhe liderëve të tjerë,” tha një zyrtar evropian i cili foli në kushte anonimiteti.

Pesë zyrtarë dhe diplomatë europianë zbuluan se vendet e tjera në bllok janë gati të marrin vendime kundër Budapestit, “gjë që do të përbënte një nismë historike për lidershipet europiane, bazuar në kohezionin dhe unanimitet”, raporton abcnews.al.

“Nëse Oraán arrin të bllokojë sërish një marrëveshje (përfshirë rishikimin e buxhetit europian dhe ndihmën prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën) në samitin e shkurtit, përdorimi i nenit 7, i cili do t’i hiqte Hungarisë të drejtën e votës, do të bëhet një zgjidhje realiste”, theksoi një diplomat europian.

Për vite me radhë, Bashkimi Europian është përpjekur të frenojë “skemat” e Hungarisë në drejtim të shkeljeve të shtetit të së drejtës, duke “ngrirë” ndihmën financiare sa herë që vendi vendosi të largohej nga vlerat liberale të bllokut.

Nga ana e tij, Orban u përgjigj duke përdorur shpesh “armën” e vetos, për të miratuar ndihmën financiare europiane. Në fakt, në dhjetor, ai deklaroi gatishmërinë e tij për të hequr veton për 50 miliardë euro në Ukrainë, me kusht që BE të “zhbllokojë” ndihmën e ngrirë për Budapestin.

“Është e qartë se udhëheqësit janë ngopur me Orban,” vëren Steven Van Hecke, profesor i politikës europiane.

“Ka ardhur koha që Orban të kuptojë së kërcënimi i Nenit 7 është real tashmë”.

Loja për pushtet

Sipas një diplomati tjetër, Orban ka tërhequr liderët europianë në një lojë sipas kushteve të tij. Megjithatë, siç argumentojnë diplomatët, disa vende në Europën Qendrore dhe Lindore kanë frikë nga aktivizimi i nenit 7.

Ata e cilësojnë kryeministrin sllovak, Robert Fico, si një “kartë të vështirë”, pasi mbetet e paqartë nëse ai do t’i bashkohet grupit të Europës apo asaj të homologut të tij hungarez.

Rreziku i reagimeve nga vetë Hungaria mbetet gjithashtu serioz. Pezullimi i të drejtës së votës së Budapestit “do ta largojë më tej Hungarinë nga Bashkimi Europian”, vëren Peter Kreko, drejtor i Institutit të Kapitalit Politik me bazë në Budapest.

“Në këtë mënyrë ju po gërmoni varrin e Bashkimit Europian. Zgjohuni dhe ndryshoni këtë kurs të çmendur”, u bëri thirrje europianëve javën e kaluar eurodeputeti hungarez Balázs Hidvéghi.

Strategjia franceze

Gjatë muajve të fundit, Orban është shfaqur gjithnjë e më shumë i izoluar. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, pavarësisht se drejton qeverinë më të djathtë të vendit që nga epoka e Musolinit, mbetet e përkushtuar ndaj politikës pro-ukrainase të Europës.

Në Holandë, megjithëse partia e ekstremit të djathtë të Geert Wilders fitoi zgjedhjet e fundit, nuk është ende e qartë nëse lideri i saj do të marrë pjesë si kryeministër në samit, raporton abcnews.al.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit në Poloni, Orban humbi aleatin e tij më të ngushtë politik pasi qeveria nacionaliste e vendit u mund nga opozita pro-europiane.

Deri në samitin special të enjten e ardhshme, më 1 shkurt, liderët e BE-së. dhe Komisioni Europian po përpiqen ta kthejnë Orbanin në rrugën evropiane, në vend që të ndezin reflekset e tij anti-europiane me kërcënimin e Nenit 7.

Franca, për shembull, dëshiron të rivendosë besimin me Hungarinë. Gjatë javëve të fundit, zyrtarët e qeverisë franceze kanë shmangur kritikat publike ndaj Orban dhe taktikat e tij të shantazhit.

Në dhjetor, presidenti francez Emmanuel Macron e ftoi liderin hungarez në një darkë private në Paris. Sipas disa diplomatëve francezë, zyrtarët kanë bërë “vizita diskrecionale” në Budapest në dy javët e fundit në një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet.

“Ekziston një plan real nga Franca për të zgjidhur problemin e Orbanit,” vë në dukje një ish-diplomat francez me njohuri për çështjet evropiane, duke shtuar: “Por lind pyetja nëse pozicioni i Orban është një qëndrim parimor apo nëse ai është gati. për të negociuar.”

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!