Moska pret që Kievi të përmbushë kërkesat e saj në bisedimet e paqes

schedule15:42 - 26 Maj, 2022

schedule 15:42 - 26 Maj, 2022

Kremlini tha të enjten se Moska pret që Kievi të përmbushë kërkesat e saj, duke shtuar se që të zhvillohen bisedimet e paqes, Ukraina duhet të jetë realiste për situatën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ishte shprehur të mërkurën se forcat ruse duhet të tërhiqen në pozicionet e paraluftës, si hap paraprak për bisedime diplomatike.

I pyetur të enjten nëse Rusia pret që Ukraina të bëjë lëshime territoriale, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “Moska pret që kërkesat e saj të pranohen dhe të kuptohet realiteti i situatës de-fakto.”

Zoti Zelenskyy tha se Ukraina nuk do ta dorëzojë territorin e vet.

Rusia ka kërkuar më parë që Ukraina të njohë sovranitetin rus mbi Gadishullin e Krimesë, që Moska e aneksoi në vitin 2014, si edhe pavarësinë e rajoneve separatiste, të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore.

Zoti Peskov po reagonte ndaj komenteve të ish-Sekretarit amerikan të Shtetit Henry Kissinger, i cili këtë javë sugjeroi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, se Ukraina duhet të pranojë, që Rusia të mbajë Krimenë.

Gjatë bisedimeve në mars, zyrtarët ukrainas thanë se statusi i Krimesë dhe rajoneve separatiste mund të diskutohej më vonë, por javët e fundit ata e kanë ashpërsuar qëndrimin dhe kanë thanë se trupat ruse duhet të tërhiqen në zonat ku ishin përpara se Moska të niste agresionin ushtarak më 24 shkurt.

Presidenti Zelenskyy tha të mërkurën se ai aktualisht nuk sheh vullnet nga ana e Rusisë për të rifilluar negociatat serioze për përfundimin e luftës tremujore.

“Në fillim, u krijua një përshtypje se mund të ecnim përpara, se bisedimet mund të sillnin rezultate. Por gjithçka ka ngecur,” tha zoti Zelenskyy në një lidhje me video për Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Ai shprehu gatishmërinë për të negociuar drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin, por theksoi se Moska duhet ta bëjë të qartë se synon të përfshihet në bisedime serioze.

Zoti Zelenskyy tha se hapi i parë për ta demonstruar seriozitetin do të ishte që Rusia të tërheqë trupat dhe pajisjet e saj në pozicionet e para 24 shkurtit, kur filloi agresioni rus.

Presidenti Zelenskyy e bëri të qartë gjithashtu se qëllimi i Ukrainës është të rifitojë të gjithë territorin e humbur.

“Ukraina nuk do ta dorëzojë territorin e vet. Ne po luftojmë në vendin tonë, në tokën tonë,” tha ai.

Duke folur në një konferencë telefonike me gazetarët të enjten, zëdhënësi i Kremlinit tha se “Kievi duhet të pranojë situatën de-fakto dhe të bëjë një vlerësim realist të saj.”/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!