Takimi i paralajmëruar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin duket se nuk do të zhvillohet në kohë, pasi bisedimet përgatitore në mes të shefave të diplomacisë të të dyja shteteve kanë ngecur.
Rrjeti televiziv CNN ka raportuar më 21 tetor se bisedimet mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov janë shtyrë.
Në disa përgjigje, një zëvendësministër i Jashtëm rus ka thënë se takimi as nuk është planifikuar.
“Nuk mund të shtysh diçka për të cilën as nuk është arritur pajtueshmëri. Ne nuk e kemi konfirmuar atë për të cilën kanë shkruar disa burime perëndimore. Nuk kemi arritur pajtueshmëri sa i përket kohës apo lokacionit të një kontakti të tillë”, është cituar të ketë thënë ai për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti.
Ideja e një samiti Trump-Putin në Budapest ka dalë pas një bisede telefonike të zhvilluar mes dy liderëve më 17 tetor.
FIllimisht kishte pritje që Rubio dhe Lavrov të takoheshin për t’i bërë përgatitjet para bisedimeve të mëdha.

