Forcat qeveritare siriane të mbështetura nga Rusia kohët e fundit kanë shtuar sulmet kundër Idlibit, enklavës së fundit rebele në vend. Një forcë ushtarake turke u bllokon qasjen trupave siriane që duan të marrin nën kontroll Idlibin. Ankaraja druhet se nëse forcat siriane e arrijnë objektivin e tyre, kjo mund të sjellë si rezultat hyrjen e miliona refugjatëve në Turqi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli se forcat e regjimit sirian të mbështetura nga Rusia po i shtojnë sulmet e tyre në Idlib.
Presidenti sirian Bashar Al Assad është zotuar të rimarrë nën kontroll enklavën e kontrolluar nga rebelët, ku janë miliona refugjatë.
Tani për tani, forcat e armatosura turke në Idlib e pengojnë presidentin Assad ta arrijë këtë objektiv, por analistët paralajmërojnë se pozicioni i këtyre forcave është gjithnjë e më të pasigurt.
“Situata paraqet shumë rreziqe: rreziku për një konflikt të drejtpërdrejtë me forcat siriane, përfshirë edhe elementë të forcave të armatosura ruse; rreziku për konflikt me ato të ashtuquajturat emiratet e Idlibit që kontrollojnë zonën, ” thotë Haldun Solmazturk, gjeneral në pension i ushtrisë, aktualisht analist në Institutin “Turqia e Shekullit të 21-të”.
Vitin e kaluar, 33 ushtarë turq u vranë në Idlib në një sulm ajror për të cilin rebelët fajësuan forcat ajrore siriane.
Prania ushtarake e Turqisë në Idlib është pjesë e një marrëveshjeje të arritur midis Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Por Moska akuzon Ankaranë se nuk respektoi marrëveshjen për spastrimin e Idlibit nga grupet radikale xhihadiste dhe armët e tyre të rënda.
Turqia kohët e fundit ka përforcuar praninë e saj ushtarake në Idlib.
Opozita e Turqisë po paralajmëron se çdo sulm në Idlib mund të shkaktojë një katastrofë humanitare.
“Kur popullata civile kupton se një sulm i tillë vjen nga ushtria siriane, mbështetur nga forca ajrore ruse, atëherë civilët ndoshta do të përpiqen të gjejnë strehim duke u zhvendosur drejt veriut. Dhe kjo natyrisht do të shkaktonte një valë të re migrimi dhe do ta mbingarkonte kufirin turk. Ky është rreziku kryesor i sigurisë me të cilin përballemi”, thotë Unal Cevikoz, deputet i Partisë CHP të opozitës.
Turqia ka aktualisht pesë milionë refugjatë, shumica e të cilëve ikën nga lufta civile siriane. Mundësia e një vale tjetër refugjatësh po nxit partitë kryesore të opozitës t’i bëjnë thirrje Ankarasë të hapë bisedimet me Damaskun, gjë që Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka hedhur poshtë.
Zoti Erdogan ka zgjedhur të përqendrohet tek marrëdhënia e tij me zotin Putin.
Analistët mendojnë se presidenti rus përfiton nga tensionet mbi Idlibin.
“Pas gjashtë vitesh ndërhyrje, Bashar Al Assad shkoi papritur në Moskë para një muaji dhe pati një takim kokë më kokë me Putinin. Dhe menjëherë pas kësaj, Erdogani shkoi në Soçi. Kështu në një farë mënyre, Putini tregoi se ai është faktori përcaktues, se ai mund të bëjë presion ndaj Erdoganit dhe Basar Al Asadit vetëm në interes të Rusisë “, thotë analisti Aydin Selcen.
Për atë arsye, disa ekspertë parashikojnë se presidenti Putin mund të ndërmjetësojë një kompromis tjetër mbi Idlibin, duke bërë të mundur që Rusia të ruajë ndikimin e saj mbi Ankaranë dhe Damaskun./VOA