Real Madrid fitoi mbrëmjen e djeshme trofeun e 14-të të Champions League, si asnjë skuadër tjetër më parë, duke qenë “mbretërit” e Europës.
Një nga protagonistët e “Los Blancos” është edhe Luka Modric, i cili edhe pse tashmë është 36-vjeç, në mesfushë nuk lodhet asnjëherë.
Në këtë mënyrë mesfushori kroat dhe madrilenët kanë arritur një marrëveshje përfundimtare që bashkëpunimi mes tyre të vazhdojë edhe një sezon. Loja e treguar gjatë gjithë sezonit ka qenë garancia kryesore për ish-Topin e Artë për të zgjatur edhe një vit qëndrimin e tij në “Santiago Bernabeu”.
Dëshira e drejtuesve të Real Madridit ishte e qartë, një bisedë e vetme i mjaftoi Luka Modricit për të nënshkruar sezonin e tij të njëmbëdhjetë në klubin “merengues”.
Ashtu siç ndodhi në rinovimin e tij të fundit, kontrata e re do të zgjasë një sezon, pa rritje apo ulje rroge. Modric e ka merituar në fushë pagën që merr. Askush nuk e shikon kartën e identitetit të kroatit. Vetëm ajo që tregon në çdo ndeshje dhe përkushtimi që ka me klubin vlen diçka që nuk ka çmim.
Pa kontributin e jashtëzakonshëm të kroatit, Reali vështirë se do ta kishte mbyllur sezonin me dy trofetë më të rëndësishëm: titullin e La Ligas dhe Championsin. /f.a/abcnews.al