Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili vendosi të mos dekretonte Gent Cakajn, për ministër të Jashtëm.
Me një vendim unanim 7 me zero të të gjithë anëtarëve, Gjykata Kushtetuese konstatoi se emërimi i një ministri kalon kalon nëpërmjet një procedure që e sheh si të barabartë kryeministrin, parlamentin dhe Presidentin.
Lexo edhe: Përplasja Rama-Meta mbi kompetencat, kush ka të drejtë? Kushtetuesja vendosi
Ndërkohë për këtë vendim ka ardhur një reagim nga nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Vasili shkruan se Gjykata Kushtetuese më këtë vendim ka rrëzuar kryeministrin Edi Rama.
Vasili thekson se qëndrimi i presidentit ishte plotësisht kushtetues , duke shtuar: “Matufllëku i Ramës merr shuplakën, që meriton si çdo sharlatan që kërkon në mënyrë halucinante të rrëmbejë çdo pushtet.
Reagimi i plotë nga Petrit Vasili:
“Gjykata Kushtetuese rrezon Edi Ramen!Qendrimi i Presidentit Meta plotesisht kushtetues lidhur me mosemerimin e Gent Cakes si Minister i Jashtem. Gjykata Kushtetuese pushoi sot ankimin e Rames ne Kushtetuese. Matuflleku i Rames merr shuplaken, qe meriton si cdo sharlatan, qe kerkon ne menyre halucinante te rrembeje çdo pushtet”.
Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese deklaron se ka pranuar pjesërisht kërkesën e Kryeministrit, lidhur vetëm me interpretimin e nenit 98 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ky nen përcakton saktësisht se ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të kryeministrit brenda 7 ditëve.
Sakaq Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Ramës për konstatimin e konfliktit të kompetencave mes Kryeministrit dhe Presidentit, lidhur me emërimin e ministrave.
/abcnews.al/