Gazetari i “ABC”, Simon Shkreli zbardh detaje të reja nga rrëzimi i avionit paraditen e sotme në Vermosh në kufi me Malin e Zi. Të parët që e kanë konstatuar ngjarjen kanë qenë barinjtë e zonës së Malësisë së Madhe.
Nga dëshmitë e para për grupin hetimor mësohet se barinjtë janë shprehur se sapo kanë parë avionin e rrëzuar janë nisur drejt tij, por janë ndeshur me kërcënimin e dy personave që u janë drejtuar me fjalët “mos u afroni”. Megjithatë kjo nuk i ka penguar që të filmonin pas largimit të tyre.
Lexo edhe: Avioni u rrëzua në Vermosh nga mbipesha, piloti dhe pasagjeri boshnjakë
Më tej, ata janë shprehur se fuoristrada që mori pilotin dhe pasagjerin ishte e bardhë dhe në momentin që u thanë “mos u afroni” menduan se ishin efektivë, pasi policia kufitare ka dy makina të tilla.
“ABC” mësoi gjithashtu se avioni i vogël privat që hyri nga Mali i Zi dyshohet se është rrëzuar nga mbipesha. Piloti është boshnjak nga Novi Pazari, ndërsa pasagjeri boshnjak nga Plava.
Personat që i morën me mjetin fuoristradë pa targa nga livadhi i Vermoshit nuk janë të zonës.
Avioni i vogël mban jo më shumë se 200 kg peshë, ndaj dyshohet që është ulur nga mbipesha duke mos arritur që të ngrihet më në fluturim.
Ndonëse deri më tani nuk ka asnjë pistë, nuk përjashtohet mundësia që të jetë përdorur për trafik lëndësh narkotike. Gjithë ky mister pritet të sqarohet nga autoritetet.
/ db/Abcnews.al