Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu iu përgjigj akuzave të opozitës në interpelancën që po mbahet në Kuvend në lidhje me skandalin në spitalin e Onkologjikut. Ministrja tha se qeveria ka bërë shumë punë por shtoi se duhet të bëhet më shumë për të pastruar sistemin e shëndetësisë.
“Ngjarja e shëmtuar e Onkologjikut na tregon sa shumë punë kemi për të bërë por edhe sa kemi bërë që të pastrojmë sistemin me metastazat e brendshme të tij. Ka shumë llum të akumuluar në këto 30 vite, dhe po t’i shtojmë dhe llumin politik, situata bëhet më e keqe. Nëse doni të kontribuoni, të paktën të mos shtoni llumin. Situata e
Onkologjikut ishte edhe para 30 vitesh, çfarë bëtë ju. Ne i shkuam deri në fund prandaj doli në dritë ai zullum se në të kundërt do të ishte ashtu siç e latë ju.
Situata është vërtetë shqetësuese dhe u ngritën në nivelin e marrjes së masave emergjente. Sa i përket faktit të mungesës së ilaçeve apo medikamenteve, është reduktuar në minimum kontrasti i të sotmes me të kaluarës. 70 deri në 80 pacientë në ditë marrin shërbim në Onkologjik, 160 marrin shërbimin e radioterapisë në ditë.
Siç e cituat edhe vetë, kemi sot një plan kombëtar kundër kancerit 2023-2026 që parasheh edhe forcimin e mëtejshëm të programeve te diagnostikimit të hershëm dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe rritjen e mëtejshme të cilësisë së trajtimit.”, tha mes të tjerash ministrja./abcnews.al