Gjatë interpelancës që kryeministri Edi Rama i kishte deleguar, ministrja Elisa Spiropali ka debatuar me Gazment Bardhin, teksa i përgjigje pyetjeve të deputetit Agron Shehaj.
“Ju Shehaj e keni njohur biznesin dhe po bëni këtë në politikë por ju dëshmoni moskuptim ose gjyq popullor si hetim për investimet strategjike. Po cënoni klimën e investimeve në vend”, tha Spiropali.
Ndërkohë, teksa Bardhi fliste nga vendi, ministrja i ka kërkuar të mos qeshë shumë.
“Mos qesh Gaz se shumë gaz ke pasur këto kohë”, i tha ajo
“Investimet strategjike janë potencial zhvillimi”, shtoi Spiropali, teksa Bardhi ndërhyri sërish nga vendi.
Sipas Elisa Spiropalit, statusi i investitorit nuk është favor që qeveria ua bën dhuratë investitorëve, por në bazë të disa kritereve dhe për një të mirë publike.
“Jeni në garë të ethshme me Gazin që kërkon të imitojë Joridën”, tha ajo drejtuar sërish deputetit, teksa edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i kërkoi Bardhit të mos fliste nga vendi. /abcnews.al