“Mos pandehni se kam vdekur”, ambasadorja dedikim prekës për sportistin që u shua në moshë të re

schedule10:23 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 10:23 - 28 Dhjetor, 2020

Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Luli Faber ka bërë një dedikim prekës në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta në moshë të re të sportistit Klavio Meca. Ajo ka zgjedhur ta kujtojë 24-vjeçarin me një video shumë kuptim plotë ku ai reciton vargjet e Naim Frashërit shkëputur nga “Fjalët e Qiririt”.

“Kur të më shihni se jam tretur mos pandehni se kam vdekur”, reciton Meca mes miqve të tij gjatë takimit në ambasadën shqiptare në SHBA. Faber kujton se Klavio ishte pjesë e grupit të studentëve të zgjedhur vitin e kaluar me takim dhe vizita në institucione amerikane.

“Të njohëm shumë shkurt dhe ndamë me ty veçse pak ditë, por do të të kujtojmë gjatë për ngazëllimin që përçoje dhe entuziazmin që solle tek të gjithë që ishin pjesë e programit. ‘Ditët Shqiptare në Uashington DC’ është një nga aktivitetet më të vyera që Ambasada shqiptare zhvillon.

“The very smart, sëeet and easygoing” Klavio ishte pjesë e grupit të studentëve të zgjedhur për vitin e kaluar (2019). Tradita e këtij aktiviteti dy-ditor me takime dhe vizita në shumë institucione amerikane shpresojmë të vijojë vit pas viti por tashmë për një arësye me shumë, kujtimin e paharruar të tij.

Ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje tragjike e të parakohshme për familjarët, të afërmit dhe gjithë miqtë e Klavios.  Videon e mëposhtme e kam regjistruar personalisht gjatë takimit në Ambasadë. E publikoj me qëllim që të ndaj një kujtim të bukur të Klavios nga një moment që sot merr tjetër vlerë. I përjetshëm kujtimi tij!”, shkruan ajo krah videos.

Klavio Meca u nda nga jeta në moshën 24-vjeçare. Ai ka pasur një sërë arritjesh sportive mes tyre në Budapest të Hungarisë vendosi një rekord të ri kombëtar në 400 m stil i lirë me kohën e përgjithshme 4’04”03./mv.abcnews.al