Ballkani nuk është më një surprizë, por një realitet i bukur i kampionatit dardan. Ekipi nga Suhareka siguroi një fitore të madhe në Drenas përballë kampionëve të Feronikelit. 0-2 fituan djemtë e Ismet Munishit, duke regjistruar fitoren e tretë rresht.
Blend Baftiu është heroi i miqve me nga një gol të shënuar për pjesë. Goli i nëntë në IPKO Superliga për 21-vjeçarin e talentuar, i cili kryeson renditjen e golashënuesve të kampionatit.
Kjo fitore e ngjit Ballkanin në kuotën e 29 pikëve, ndërsa Feronikeli regjistron humbjen e gjashtë. As ndërrimi i trajnerit nuk dha efektin e duhur për ekipin nga Drenasi, që konfirmon krizën që po kalon.
Prishtina ngeci në Klinë. Bardhekaltrit nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola përballë Dukagjinit të vendit të fundit, që merr një pikë të rëndësishme për mbijetesën. Ekipi i Armend Dallkut vinte nga tre fitore rresht, por sot nuk ia doli të shënonte golin e fitores.
Trepça ’89 vazhdon të konfirmojë formën e mirë. Ekipi nga Mitrovica siguroi fitoren e tretë rresht përballë Vushtrrisë. Një gol i Arb Manajt në fundin e pjesës së parë i dhuroi tre pikë të tjera Trepçës, që ngjitet në vend të gjashtë me 19 pikë. /abcnews.al
Dukagjini – Prishtina 0-0
Feronikeli – Ballkani 0-2
(Baftiu 32′, 66′)
Trepça ’89 – Vushtrria 1-0
(Manaj 40′)