Shërbimet e sigurisë ruse qëlluan për vdekje katër të burgosur të premten, të cilët morën peng disa punonjës të burgut, goditën me thikë katër prej tyre dhe deklaruan besnikëri ndaj Shtetit Islamik. Ngjarja ndodhi në objektin IK-19 Surovikino në Volgograd.
“Snajperët e forcave speciale të Gardës Kombëtare Ruse në rajonin e Volgogradit, me katër të shtëna të sakta, neutralizuan katër të burgosur që kishin marrë peng punonjës të burgut. Pengët janë liruar,” deklaroi Garda Kombëtare, sipas raportimeve të mediave ruse.
Shërbimi federal i burgjeve tha se katër punonjësit kishin vdekur nga plagët me thikë dhe të tjerët ishin trajtuar në spital. Gjithsej tetë punonjës të burgut dhe katër të dënuar ishin mbajtur peng.
Në një nga videot e postuara nga sulmuesit, viktimat shiheshin të shtrirë në pellgje gjaku, njëri prej tyre me fytin e prerë. Një nga të burgosurit bërtiti se ata ishin “muxhahidë” të Shtetit Islamik.
Pengmarrja në Volgograd është incidenti i dytë i tillë këtë verë, pasi gjashtë të burgosur që u zotuan për besnikëri ndaj grupit të Shtetit Islamik kapën dy roje në një strukturë në rajonin fqinj të Rostovit.
Pesë nga të burgosurit u vranë dhe i gjashti u dënua me 20 vjet burg pas sulmit./abcnews.al