Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mashën dhe Albert Xhokan të akuzuar për gjobëvënie.
Këta dy persona janë kallëzuar nga Davor Velefski i cili në polici ka pretenduar se është marrë peng pranë kryegjyshatës, nga ku është futur me forcë nga Masha dhe Xhoka nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar shumën 250 mijë euro.
Ngjarja:
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në lagjen “Ali Demi” pranë Kryegjyshatës Bektashiane ku dy persona, një 41 vjeçar dhe një 42 vjeçar fillimisht futen me forcë në makinë 23 vjeçarin nga Maqedonia Davor Velefski.
Pasi e kanë futur në makinë ata i kanë vendosur pistoletën në kokë duke i kërkuar 250 mijë euro.
Pasi është informuar për ngjarjen, policia është vënë në ndjekje të personave duke i arrestuar. Njëri prej tyre tentoi të largohej në këmbë me vrap, por pas një ndjekjeje të shkurtër efektivët e policisë kanë mundur ta kapin.
Të arrestuarit janë Abert Xhoka dhe Sokol Masha, të cilët tani akuzohen për veprat penale “Heqje e padrejtë e lirisë” dhe “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Atat hodhën poshtë akuzat pasi pretendonin se nuk ishte pengmarrje por se 23 vjeçarit i kishin bërë presion për kthimin e një borxhi.
Nga policia është proceduar dhe shtetasi tjetër maqedonas Subi Ethemi për moskallëzim krimi./abcnews.al