“Morandi” alarmi për rrezikun që në vitin 1979

schedule22:48 - 20 Gusht, 2018

schedule 22:48 - 20 Gusht, 2018

Duket se struktura e dobët dhe pafuqia e saj për të mbajtur më tej aksin rrugor nuk ishte anomalia e vetme e urës Morandi, që u shemb javën e kaluar në perëndim të Italisë.

Pas rekuperimit të trupave të pajetë nën rrënoja, që e çuan bilancin e viktimave në 43, autoritetet kanë dhënë një tjetër alarm, që ka të bëjë me atë pjesë të urës që ndodhet mbi shtëpitë. Sipas mediave italiane, ura është ndërtuar në vitin 1963, kur shtëpitë ekzistonin. Duket e pabesueshme se si ura është ndërtuar mbi godinat, një pjesë e të cilave janë rezidenca banimi. Duke komentuar këtë anomali, mediat italiane shkruajnë se vetëm një mrekulli i ka shpëtuar këto shtëpi, nga masivi i betonit që më 14 gusht u shemb në tokë.

Bëhet fjalë për banesa 5-katëshe në të cilat jetojnë qindra njerëz, italianë dhe emigrantë. Gjithashtu, përreth terrenit ku ngrihen shtyllat e urës ndodhen edhe bazat e shumë kompanive, disa prej të cilave u dëmtuan e disa të tjera u mëshiruan nga pesha e rëndë e pjesës së urës që ra në tokë. E ndërsa në vendin fqinj vijojnë polemikat për të gjetur fajtorët e tragjedisë, mediat italiane kanë përcjellë një deklaratë të arkitektit të urës që paralajmëronte rreziqet që i kanoseshin asaj. Në vitin 1979, Morandi deklaronte se struktura mund të kishte nevojë për ndërhyrje sistematike për t’i hequr ndryshkun, i akumuluar si pasojë e gërryerjeve që vinin nga deti dhe ndotja e ambjentit. “Herët a vonë, ndoshta brenda pak viteve, do të jetë e nevojshme një ndërhyrje për riparim, për të hequr të gjitha gjurmët e ndryshkut”, thoshte inxhinieri. Një tjetër provë kjo, se tragjedia në njëfarë mënyre ishte e paralajmëruar, përvec mënyrës krejt anormale se si ura ishte ndërtuar mbi godinat rezidenciale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!