Në urën me harqe ose siç njihet ndryshe “Ura e Zogut”, tashmë monument kulture për vlerat e saj arkitektonike të kohës, kanë nisur punimet përforcuese.
Ura e Matit është një prej veprave më të veçanta inxhinierike në Ballkan dhe njihet si një nga veprat e para inxhinierike, të këtyre përmasave, të shtetit shqiptar, që lidhi brigjet e Matit që prej 26 majit 1927.
“Ky monument kulture, në listën e pasurive në rrezik nga “Europa Nostra”, i është nënshtruar falë financimit nga Qeveria Shqiptare, një ndërhyrjeje shpëtuese, si fazë e parë përforcuese, dhe në vijim pason restaurimi thelbësor, ku ekspertët po verifikojnë thellësinë e zhytjes së themelit dhe ndërthurjen e strukturës mbajtëse të çeliktë me këmbën e urës, veçanërisht për shkak të ndërtimit në mjedis me ujë dhe për shkak të cedimit dhe animit të këmbës së urës. Ky projekt pritet të kthejë për publikun, për qëllime panoramike e pelegrinazhi, një tjetër objekt trashëgimie, të aksesueshëm e të kalueshëm nga vizitorët dhe të shfrytëzueshëm për komunitetin e zonës”, shkruan Blendi Gonxhe në një status në Facebook, ndërsa ka ndarë edhe pamje të punimeve.
Ura e Matit projektuar nga inxhinieri zviceran Erwin Schnitter dhe ndërtuar nga firma triestine “Mazorana & Co Triest”, nën drejtimin e inxhinierit Gjovalin Gjadri, ura e gjatë 480 metra u ndërtua me gjashtë harqe (kampata), secili nga 54 metra.
/abcnews.al/