Monolog nga Erion Kristo: Shqiptarët dinë të bëjnë batuta më mirë se çdo popull tjetër

schedule23:05 - 30 Mars, 2022

schedule 23:05 - 30 Mars, 2022

Monolog nga Erion Kristo

Sa herë që bëj ndonjë kritikë për shqiptarët ka njerëz që më thonë, u bë surrati yt të kritikojë shqiptarët. Natyrisht unë e di se surrati im ka shkaktuar shpesh probleme politike, ekonomike, kriza sociale etj. Po ti shqiptarëve ti hash atë edhe këtë, por ne e kemi bërë se këtu kemi jetuar. U detyrova tu bëj një pyetje miqve në rrjetet sociale: A duhet të kritikojmë kur ka diçka që nuk shkon?

Vetëm 3-4 vetë thanë jo në mënyrë të prerë, shumica dërrmuese ishin dakord që kur gjërat nuk shkojnë duhet të kritikojmë, madje gjysma e atyre bënin ironi me veten duke thënë: Po ku kemi difekte ne, s’kemi asnjë difekt. E pra patjetër që ne duhet të diskutojmë, të kritikojmë për mënyrën se si sillemi, se si veprojmë, se si mësojmë. Në këtë pikëpamje janë tre gjëra që dua t’i them. Së pari duhet të marrim natë që të huajt kanë thënë për ne, se kjo na ndihmon, përshembull atë që Bajroni ka thënë për ne se: Virtytet i kanë të mira por mund t’i kishin pak më të arrira.

Në këtë pikëpamje edhe armiqtë e Shqipërisë që mund të na kenë sharë, nuk na duan, për shkak të përbuzjes së tyre janë sjellë keq me ne, duhen marrë në konsideratë, madje duhen falënderuar sepse ata mund të mos kishin thënë asgjë, mund të kishin thënë vazhdo se e ke mirë.

Së dyti do të vazhdoj veprën e Rilindësve tanë të cilët kritikonin sa herë që gjenin arsye për të kritikuar. Madje ata shpesh kanë kaluar nga rruga e cinizmit, duke u sjellë ndonjëherë keq madje duke e poshtëruar ndonjëherë shqiptarin me fjalitë e tyre, por kjo ka ardhur sepse ju ka plasur buza. Së treti zgjidhja është shumë e thjeshtë në rast se duam të bëhemi më të mirë se sa jemi mjafton t’i kthejmë veset tona në virtyte. Se si bëhet kjo do t’ua tregoj një herë tjetër.

Por dua tu them edhe një gjë të vogël para se ta mbyll. Kulmi i inteligjencës është kur një njeri apo një grup njerëzish bëjnë ironi madje tallen pak edhe me veten e vet jo vetëm me të tjerët. Kjo na bën ne më të bukur dhe të ndryshëm me të gjithë sepse ne dimë të qeshim bukur me hallin tonë, dimë t’i kapërcejmë situatat me pak humor dhe kur vjen puna për batuta nuk na e merr dot asnjë popull tjetër.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!