Doja të bëja një monolog shumë të rëndësishëm, po shumë fare, sepse ka të bëjë me drejtësinë, me gjykatat. Po thashë, lëre fare. Njerëzit nuk duan t’ia dinë. Doja të flisja pak për humbjen e gjyqeve ndërkombëtare me fatura katastrofike, por pasi u mendova, vendosa të mos flisja.
Njerëzit fyhen kur mendojnë se je duke u sharë liderin. Madje fyhen dhe kur të shohin se ua kujton se pagesën do ta bëjnë ata vetë dhe fëmijët e tyre. Liderët janë mbi jetën tonë. Do doja të flisja pak për vonesat e gjyqeve, për procedurat e përbindshme, për gjyqtarët e korruptuar. Por njerëzit i dinë, dhe më mirë të mos bësh zë.
Doja të thosha diçka që kam një dekadë e gjysmë që e kam thënë: Strasburgu do ta shkatërrojë Shqipërinë me faturat e gjyqeve. Po njerëzit janë të lumtur, sapo kanë marrë një dorë me euro për zgjedhje, dhe s’kanë nge për muhabete pa bukë, pa miell desha të thosha. Doja të flisja për gjykatat e rëndësishme të vendit tonë, që po mbushen sërish me militantë partish, me njerëz të papërgjegjshëm.
Po kujt i hyn në punë kjo? Do doja të flisja për shpenzimet e stërmëdha që paguajmë për një proces gjyqësor, po mirë të na bëhet. Do doja të thosha se drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Po më mirë të hesht. Heshtja është flori. Do doja të diskutoja atë shprehjen e famshme popullore: të pafsha në spital, që ne e kemi shndërruar në të pafsha në gjyq. Por a ka vlerë? Do doja të thosha me plot gojën, se kemi më shumë organe kontrolli se organe pune në drejtësi, po kujt iu hap barku për këtë. Edhe nëse i paguajmë shumë, shumë, shumë shtrenjtë, prapë askush nuk do t’ia dijë.
Do doja të flisja për paaftësinë dhe arrogancën dhe korrupsionin e gjyqtarëve.
Po ato duken si kot, përpara gjëmave të tyre, si lirimi i vrasësve, legjitimimi i grabitjes së pronave, etj. Etj. etj. Atëherë, po e mbyll me një fjali: lum si shkrimtarët e brezave të ardhshëm, se do kënaqen me fantazinë që ofron realiteti ynë gjyqësor. Kushedi sa çmime botërore do marrim në letërsi. Dhe me to do shlyejmë faturat e kripura të gjyqeve tona./abcnews.al