Monolog nga Erion Kristo
Ka nisur aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje. Ka gjetur vaktin. Sa fillon sezoni turistik fillojnë punën fadromat. A thua se nuk mundësi ta bëjnë këtë më vonë. Ndërtimet që prishin bregdetin që janë të bëra pa asnjë lloj sistemi që janë toka të uzurpuara, duhet të prishen pa diskutim.
Por ne kemi një koncept të gabuar. Ne mendojmë se shteti ka gjithmonë të drejtë dhe qytetari është ai që e ka gjithmonë gabim, ndërkohë që nuk është kështu. Ka qenë shteti shqiptar ai që jo vetëm i ka toleruar, jo vetëm i ka nxitur, por u ka marrë para pa fund, qoftë në xhep qoftë në buxhet qytetarëve të thjeshtë, të cilët kanë bërë biznes qoftë në breg të detit qoftë kudo në Shqipëri me ndërtime pa leje.
Nuk po them në asnjë mënyrë që është mirë të rrëmbesh tokat e tjetrit, por po them një gjë krejt tjetër, po them se fajtori kryesor ai që duhet të dënohet nga mëngjesi deri në darkë është shteti dhe përfaqësuesit e tij, xhepmbushurit me paratë e qytetarëve të thjeshtë, dhe këtu ka një keqkuptim shumë të madh. Ka njerëz që fërkojnë duart se të tjerëve u prishen shtëpitë dhe ka njerëz që fërkojnë duart se do rrëmbehen tokat aty ku po prishen shtëpitë.
E gjitha kjo më bën të besoj se në Shqipëri ligji zbatohet vetëm pjesërisht dhe vetëm kur u do qejfi atyre që janë në krye. Kam një mesazh për shtetin, mirë që ke qenë një shtet shtypës, një shtet i leshtë, një shtet pa vizion, një shtet pa ide, një shtet i korruptuar, por nuk të lejohet të zbatosh ligjin me dy standarde, nuk të lejohet të prishësh shtëpitë dhe ndërtimet e qytetarëve për një arsye të vetme që t’ua japësh bark të pangopurve.
Nëse do ta zbatosh ligjin, zbatoje nga mëngjesi deri në darkë dhe jo vetëm në Mars, në Prill, para apo pas zgjedhjeve kur të leverdis ty. Mbi të gjitha nëse je serioz nëse do që ta zbatosh ligjin tamam, filloje pak në katet e sipërme të pallateve të deputetëve të t’u sepse kjo do ti jepte vlera më tepër ligjit.
/ Abcnews.al