“Monitoroni kursin e këmbimit”, FMN dhe Banka Botërore vlerësojnë kthimin e inflacionit në objektiv

schedule12:06 - 26 Tetor, 2024

schedule 12:06 - 26 Tetor, 2024

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan ecurinë ekonomike të Shqipërisë por kërkuan më shumë monitorim të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.

Gjatë takimeve të zhvilluara në Uashington me delegacionin shqiptar ata e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke u ndalur në veçanti te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv.

Ndër të tjera, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan progresin e Shqipërisë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë.

Ata gjithashtu u ndalën në vlerësimin e përmirësuar nga Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, e cila e rishikoi me rritje ekonominë shqiptare, në Ba3- e qëndrueshme, nga B1-pozitive.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe kreu i financave morën pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore të zhvilluara në Uashington DC, SHBA.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku vendimmarrësit e FMN-së dhe BB-së, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore./abcnews.al