Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nga Lezha u shpreh sot se bizneset po mbyllen, taksat rriten, çmimi i energjisë elektrike rritet çdo ditë e më shumë dhe se familjet shqiptare po kërcënohen me rindërtimin dhe seleksionohen sipas bindjeve politike. Për të gjitha këto arsye, Kryemadhi u kërkoi lezhjanëve votën për të larguar Edi Ramën nga pushteti.
“Po lëviz në të gjithë Shqipërinë, shtëpi më shtëpi, fshat më fshat dhe çdo ditë e më shumë mendoja se njerëzit do të ishin indiferentë ndaj politikës, ashtu siç kanë qenë në 30 vitet e tranzicionit, por në fakt nuk janë indiferentë, përkundrazi, janë nervozë, kanë inat me politikën. Sepse ajo që ndjejnë çdo ditë është padrejtësia që ndodh me ta. Isha para disa ditësh në disa familje në fshatrat e Lushnjes dhe më thanë: Si mund të votoj unë përsëri tha Rilindjen?
Kam votuar gjithë jetën Partinë Socialiste, por jo vetëm që nuk më dha mundësinë për t’u punësuar, jo vetëm që nuk më garantoi shitjen e produktit, jo vetëm që më rriti çmimet e pesticideve, por më futi edhe në burg për një faturë energjie me 10 mijë lekë të vjetra të papaguara. E si mund të votoj unë atë kur para 8 viteve tha që do të falim energjinë elektrike. Jo vetëm që nuk e fali, por i shtoi çmimin energjisë elektrike.
Ne e dimë se çfarë ndodh në Lezhë, me çmimet e kripura të energjisë elektrike, jo vetëm për bizneset por dhe për familjet e Lezhës, të cilat nuk kanë mundësinë e punësimit, nuk kanë mundësinë e ushqyerjes së fëmijëve të tyre dhe jo më të paguajnë fatura afrofe të energjisë elektrike. Prandaj angazhohemi që të gjithë, jo vetëm për të bërë fjalë për amnistinë fiskale të energjisë elektrike, por për të falur çdo abuzim që është bërë me faturat e energjisë elektrike për familjet e Lezhës dhe gjithë Shqipërisë. Për familjet e rindërtimit të cilat presin me padurim rindërtimin e shtëpive të tyre.
Jo vetëm që do ta çojmë deri në fund rindërtimin dhe për të pasur shtëpi dinjitoze dhe jo selektim përsa i përket flamujve politik. Por për çdo familje që ka humbur shtëpinë, çdo familje që vazhdon të jetojë sot në çadra. Nuk do të ndalemi asnjëherë për të ndihmuar dhe për ti dhënë dorën çdo familje, për t’i dhënë dorën njëri tjetrit, çdo qytetari shqiptar, sepse në fund të fundit të gjithë jemi të barabartë si përpara Zotit ashtu dhe përpara ligjit” tha ajo./ db/ Abcnews.al