Monedha euro vijoi edhe gjatë ditës së enjte pikiatën në tregun e këmbimit valutor duke rënë nën vlerën e 123 lekëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë gjatë së enjtes 1 euro është këmbyer me 122.98 lekë me një rënie prej 0.1 lekë në raport me një ditë më parë. Kjo rënie e monedhës europiane ka qenë e pandalshme që nga data 27 nëntor e këtij viti.
Në krahasim me fillimin e vitit, euro ka humbur 11 lekë, me një nënçmim prej 8.2%. Kjo konsiderohet si rënia më e fortë vjetore e euros që prej vitit 2004. Rënia e euros, në një kohë që në bursa është relativisht e fortë, po tërheq edhe dollarin. Monedha e gjelbër u këmbye me 107.93 lekë, duke rënë me 0.25 lekë. Jo vetëm dollari, por të gjitha monedhat e tjera kanë shënuar rënie ndaj lekut, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Në muajin dhjetor gjithnjë janë të pranishme efektet sezonale, me rritje të ofertës së euros, që këtë vit sipas ekspertëve po shoqërohet në kahun e kundërt me më pak qarkullim të lekut për shkak të konsumit të dobët dhe një stepjeje që është krijuar nga protestat e vazhdueshme gjatë javëve të fundit./abcnews.al