Tema e edicionit të 26 të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila shënohet në 3 maj, është mbi marrëdhënien e medias me demokracinë. Në fjalën e saj, përfaqësuesja e lartë për politika të jashtme në Bashkimin Evropian, Mogerini tha se media e lirë është bazë për një shoqëri pluraliste.
Në 3 maj shënohet edicioni i 26 i ditës botërore të lirisë së shtypit. E vendosur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, është një rast për të përqendruar vëmendjen në situatën e “pushtetit të katërt” në botë si dhe për t’i kujtuar çdo vendi rëndësinë e një shtypi të pavarur për shëndetin e demokracive.
Për këtë foli dhe përfaqësuesja e lartë për politikat e jashtme në Bashkimin Evropian, Federika Mogerini. Kjo e fundit me anë të një deklarate në emër të 28 vendeve anëtare të BE-së u shpreh se cilësia e proceseve demokratike është e lidhur ngushtë me rolin e lirisë së shtypit dhe pluralizimit të mjeteve të komunikimit.
Sipas saj mjetet e lira të komunikimit, të pavarur dhe të ndryshëm, janë bazë për një shoqëri pluraliste dhe të hapur. Përgjegjësia e tyre është që ti garantojnë publikut informacione të verifikuara dhe korrekte.
Dita botërore e lirisë së shtypit u vendos në dhjetor të vitit 1993 nga asambleja e përgjithshme e OKB-së, me rekomandim të konferencës së përgjithshme të UNESCO-s.
Kjo ditë synon realizimin e objektivave të ndryshëm, mes të cilave celebrimi i principeve thelbësore të lirisë së shtypit, si dhe vlerësimin e lirisë së shtypit në të gjithë botën. Por gjithashtu synohet dhe mbrojtja e medias nga sulmet për pavarësinë e saj si dhe homazhet për gazetarët që kanë humbur jetën duke kryer detyrën e tyre.
Në vitin 2018 sipas monitoruesve të UNESCO kanë qenë 99 operatorë të vrarë, një numër shumë i lartë duke çuar në total në 1307 numrin e viktimave për periudhën 1994 – 2018. Tema e zgjedhur për këtë edicion të 26 është: “Media për demokracinë, gazetarinë dhe zgjedhjet në kohët e dizinformimit”.
Kjo ditë celebrohet dhe nga Këshilli i Evropës, sipas të cilit garantimi i një ambienti të përshtatshëm për mediat e pavarura, është një sfidë vendimtare për të gjitha demokracitë.
Pikërisht për këtë arsye është publikuar dhe një raport ku listohen kërcënimet kryesore ndaj lirisë së shtypit në vitin 2018 si dhe të masave që qeveritë duhet të ndërmarrin, për t’i shmangur ato. Mes situatave më kritike ku jeta e gazetarëve është në rrezik, citohen Rusia, Hungaria por dhe Turqia./ABC News Albania 24/7