Dialogu Kosovë-Serbi, vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe statuti i Trepçës, kanë qenë temat e bisedës telefonike mes përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherni dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku sigurisht tema kryesore ishte ajo e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Duke konfirmuar bisedën telefonike, Mogerini tha se kishte folur me kreun e shtetit serb për rrugën përpara rreth dialogut si dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e të gjitha çështjeve të hapura.
Kjo sipas saj është urgjente dhe thelbësore për Kosovën dhe Serbinë, për përparimin drejt BE-së, stabilitetin dhe paqen në rajon. Me anë të një statusi në profilin e saj Twitter, Mogherini këmbëngul se taksa 100 për qind e vendosur ndaj produkteve serbe duhet të hiqet, në mënyrë që të vijojë dialogu mes dy vendeve.
Presidenti serb Vuçiç nga ana e tij u shpreh se dialogu mund të vazhdojë vetëm pas tërheqjes së taksës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës dhe ndaljes së provokimeve siç është miratimi i statutit të Trepçës. Në një deklaratë për shtyp të presidencës serbe thuhet se kushti i radhës përveç taksës ka të bëjë pikërisht me Trepçën. Kreu i shtetit serb akuzoi Prishtinën se me qëndrimet e saj po dëmton stabilitetin e gjithë rajonit./abcnews.al