Mocioni i mosbesimit, konsiderohet i pamundur rrëzimi i Kurtit

schedule12:06 - 10 Qershor, 2023

schedule 12:06 - 10 Qershor, 2023

Iniciativa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës ka mundësi të mbetet vetëm si ide. Në partinë e Ramush Haradinajt janë të vetëdijshëm për numrin e votave në Kuvend, por theksojnë se nëse kryeministri Kurti vazhdon me këtë qasje ndaj aleatëve ndërkombëtarë do t’i gjejnë të gjitha mekanizmat që ai të shkojë në shtëpi.

Skeptik për rrëzimin e kryeministrit Kurti në rrethanat aktuale janë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërkaq në partinë në pushtet konsiderojnë se qeveria është duke bërë punë të mirë dhe është e palëkundshme edhe në Kuvend.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë për KosovaPress se Kurti ka eskaluar në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçmas me Shtetet e Bashkuara, mirëpo ende nuk i kanë numrat në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Përkundër që adreson një mori kritikash ndaj kryeministrit Kurti, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu thotë se në rrethanat aktuale është vështirë që ekzekutivi të rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit.

Kritik ndaj këtyre ideve të opozitës në situatën aktuale është deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli.

Ai ngre pyetje ndaj opozitës nëse mocioni do të bëhet në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar të nevojshme iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas zhvillimeve në veri dhe kundërshtimit të aleatëve ndërkombëtarë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre në objektet komunale. Gjithashtu, edhe për vendosjen e disa masave të SHBA-së ndaj Kosovës, ku njëra prej tyre ishte edhe përjashtimi nga “Defender 2023”./KosovaPress