Mobilizimi rus mund të ngadalësojë ofensivën ukrainase, por jo ta ndalë

schedule00:24 - 23 Shtator, 2022

schedule 00:24 - 23 Shtator, 2022

Synimi i Kremlinit për të mobilizuar deri në 300.000 burra për të luftuar në Ukrainë përballet me pengesa të rëndësishme dhe – edhe nëse arrihet – mund të mos e shmangë faktin që Rusia të humbasë më shumë terren ose të humbasë luftën, sipas analistëve.

Në një fjalim drejtuar kombit më 21 shtator, presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi “mobilizimin e pjesshëm”, që do të niste menjëherë, gati tetë muaj pasi ai filloi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës, që me sa duket ai besonte se do ta gjunjëzonte Kievin brenda disa ditëve.

Në vend të kësaj, përpjekja për mobilizim po bëhet në kohën kur forcat ukrainase vazhdojnë me një kundërofensivë në lindje që ka nxjerrë në pah mungesën e burimeve njerëzore të Rusisë dhe mangësi të tjera ushtarake përgjatë një fronti që shtrihet përgjatë qindra kilometrash.

Mobilizimi “mund të zgjasë disi aftësinë e Rusisë për të mbështetur këtë luftë, por nuk ndryshon trajektoren dhe rezultatin e përgjithshëm”, tha më 21 shtator në një diskutim online Michael Kofman, një analist ushtarak dhe kryetar i Programit të Studimeve për Rusinë në Institutin kërkimor CNA me qendër në SHBA.

Rob Lee, një ekspert ushtarak dhe bashkëpunëtor në Programin Eurasia të Institutit të Kërkimeve të Politikës së Jashtme me bazë në SHBA, tha se mobilizimi mund të zgjidhë problemin e fuqisë njerëzore “për disa muaj”, mirëpo nuk është një zgjidhje afatgjatë.

“Unë ende mendoj se Ukraina ka shumë përparësi në të ardhmen”, tha ai.

Putin tha se “mobilizimi i pjesshëm” do të kufizohej te pjesëtarët e rezervistëve ushtarakë, veçanërisht ata që kanë përvojë luftarake ose një sërë aftësish të veçanta.

Më vonë, gjatë një interviste më 21 shtator, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se ushtria do të kërkonte të rekrutonte deri në 300.000 rezervistë në faza të ndryshme. Anëtarët e rezervistëve ushtarakë të Rusisë filluan të merrnin njoftime më 20 shtator për t’u paraqitur në seancat stërvitore dyjavore duke filluar nga fundi i këtij muaji.

Një shifër hipotetike’

Analistët ngritën menjëherë dyshime mbi aftësinë e Rusisë për të rekrutuar, trajnuar, ushqyer dhe pajisur së shpejti një numër kaq të madh njerëzish.

Mark Hertling, ish-komandant i forcave të ushtrisë amerikane në Evropë, shkroi në një postim në Twitter se do të ishte “jashtëzakonisht e vështirë” për të mobilizuar 300.000 njerëz, ndërsa Kofman e hodhi poshtë atë duke e cilësuar si një “shifër hipotetike”.

Dara Massicot, një analiste ushtarak në Korporatën RAND, një institut kërkimor me bazë në Uashington, tha se për vite me radhë Ministria ruse e Mbrojtjes e kishte lënë pas dore sistemin e saj të mobilizimit, sepse nuk priste të zhvillonte përsëri një luftë tokësore në shkallë të gjerë.

“Ata nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë mirë këtë [mobilizim]. Nga ana strukturore, sistemi nuk mund ta përballojë atë”, tha ajo në një postim në Twitter.

Në letër, Rusia ka më shumë se 2 milionë ish-rekrutë dhe ushtarakë me kontratë në forcën e saj të rezervistëve, sipas Institutit për Studimet e Luftës.

Megjithatë, aty thuhet se pak prej tyre janë të trajnuar në mënyrë aktive ose të përgatitur për luftë. Në Shtetet e Bashkuara, anëtarët e rezervistëve ushtarake duhet të marrin pjesë në stërvitje mujore dhe në një trajnim dy-javor që zhvillohet një herë në vit.

Ndërkohë, Kofman theksoi se ekziston një kufi i natyrshëm se sa ushtarë mund të dërgojë Rusia në Ukrainë çdo herë.

“Pavarësisht se sa personel mobilizojnë – çfarëdo numri që mund të imagjinoni – ushtria ruse është në fakt mjaft e kufizuar në numrin e trupave që mund të mbështesë dhe komandojë në teatrin e operacioneve ushtarake”, tha Kofman.

Një pushtim i dështuar

Putin urdhëroi disa nga forcat elitare ushtarake të Rusisë që të pushtonin Ukrainën më 24 shkurt me supozimin se do të priteshin si çlirimtarë – një nga disa pritjet thellësisht të gabuara që vinin nga një inteligjencë e gabuar dhe nga faktorë të tjerë.

Forcat ukrainase bënë rezistencë të ashpër, duke i shkaktuar humbje të rënda ushtrisë ruse. Në fillim të gushtit, para kundërofensivës ukrainase në lindje, një zyrtar i Pentagonit vlerësoi se 70.000 deri në 80.000 ushtarë rusë ishin vrarë ose plagosur.

Fushata nuk arriti të tërhiqte një numër të konsiderueshëm vullnetarësh, duke treguar qartë mungesën e interesit mes rusëve për të luftuar në Ukrainë dhe – pas përparimeve të Kievit këtë muaj – Putini njoftoi një mobilizim, megjithëse të etiketuar si të pjesshëm, pas disa muajsh hezitim si rrjedhojë e shqetësimeve politike.

Ndërkohë që shteti ua ka mbyllur gojën për vite disidentëve dhe që nga nisja e pushtimit i ka shtypur edhe më fort ata që nuk pajtohen me luftën, rusët në Moskë, Shën Petersburg, Ekaterinburg dhe qytete të tjera protestuan në rrugë pas njoftimit të Putinit, disa duke i kërkuar atij të shkonte vetë të luftonte. Më shumë se 1.300 persona u arrestuan.

Shumë të rinj rusë janë larguar nga vendi që nga nisja e pushtimit, ndërsa të tjerë kërkuan të largoheshin më 21 shtator, me çmimet e biletave të avionit që u shtrenjtuan me rritjen e kërkesës.

“Mijëra rusë – baballarët, vëllezërit dhe burrat tanë – do të hidhen në makinerinë grirëse të luftës”, tha Vesna, një lëvizje opozitare ruse që bëri thirrje për protesta, duke pyetur se: “Për çfarë do të vdesin? Për çfarë do të qajnë nënat dhe fëmijët?”.

Moral i ulët

Ndërsa mobilizimi mund të ndihmojë në adresimin e problemit të burimeve njerëzore të Rusisë në muajt e ardhshëm, ushtria e saj vuan gjithashtu nga mungesa e ushtarëve profesionistë, drejtuesve dhe trajnuesve, si dhe nga morali i ulët, thonë ekspertët.

“Kur flasim për fuqinë njerëzore, nuk janë vetëm numrat të rëndësishëm. Ka të bëjë me faktin se sa mirë janë të trajnuar këta ushtarë, sa kohezion kanë ata në njësitë e tyre, si është morali – të gjithë këta faktorë të paprekshëm ndikojnë në sa të dobishme janë njësitë ushtarake”, tha Lee.

“Nga pala ukrainase, kjo luftë do të luftohet gjithnjë e më shumë nga vullnetarë, të cilët janë të motivuar dhe me moral të lartë. Në anën ruse do të shohim një pjesë gjithnjë e më të madhe të njerëzve që nuk duan të jenë atje”, tha ai.

Rekrutët dhe vullnetarët ukrainas po i nënshtrohen trajnimit profesional nga forcat britanike dhe “kjo do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme me kalimin e kohës”, tha ai.

Shumë oficerë rusë që trajnojnë rezervistët, u dërguan në front në fillim të këtij viti si zëvendësues ose për të udhëhequr forcat shtesë, duke ngritur pikëpyetje se kush do të përgatisë dhe udhëheqë njerëzit e sapo mobilizuar, thanë analistët.

Massicot tha se ushtrisë ruse mund t’i duhen “muaj deri në një vit” për të krijuar një njësi të blinduar të trajnuar mirë që ka shanse për të përballuar konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rusia nxitoi të dërgonte Korpusin e Tretë të Ushtrisë së sapokrijuar në rajonin e Harkivit në fund të gushtit pas rreth një muaji stërvitje. Njësia u shpartallua shpejt nga forcat ukrainase.
Ekspertët thanë se Rusia ka të ngjarë të dërgojë grupin e parë të rekrutëve në vijat e frontit, ku disa nga njësitë e saj luftarake janë në gjysmë të kapacitetit.

Vetëm fillimi’

Lee tha se ish-rekrutët që kanë qenë për vite me radhë jashtë forcave të armatosura nuk do të jenë në gjendje të bëjnë shumë pas dy javë trajnimesh nëse nuk kanë ende aftësi të avancuara.

“Të ulen në një llogore dhe të qëllojnë dikë? Ata mund ta bëjnë këtë. Por, t’i detyrosh ata të bëjnë operacione sulmuese? Ata do ta kenë të vështirë”, tha ai.

Sipas analistëve, me mbajtjen e pushtetit në rrezik gjatë kësaj luftë dhe me Ukrainë që duket se po ruan vrullin në këtë fazë, Putini mund të mos ndalet në kufijtë e deklaruar të mobilizimit aktual “të pjesshëm”.

Një pjesë e dekretit të mobilizimit të Putinit iu fsheh publikut, duke shtuar dyshimet se thirrja mund të zgjerohet në çdo kohë.

“Kjo fazë mobilizimi mund të jetë vetëm fillimi i më shumë rekrutimeve”, tha Kofman. “Të gjithë në Rusi e kuptojnë se mund të jenë në valën tjetër dhe se ky është vetëm fillimi”. /REL/