Qeveria do të përpiqet të përsërisë takimin e mjekët shqiptarë që jetojnë në diasporë me qëllim që ata të kthehen e t’i shërbejnë vendit. Një takim i tillë është programuar për në 24 shkurt, ku folës, përvec zv.ministres Mira Rakacolli dhe shefes së infektivit, Najada Como, është caktuar dhe mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo.
Por ai ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj tryeze të qeverisë dhe këtë e ka pasqyruar në rrjetet sociale.
“Unë nuk do të jem pjesë e takimit. Ju kam kthyer përgjigje negative. Nga takimi i fundvitit 2013 në Pallatin e Brigadave me mjekët e diasporës “Thuaj po Shqipërisë”, askush prej 150 pjesëmarrësve nuk u rikthye, por pas tyre janë larguar edhe qindra të tjerë. Shfaqja vazhdon”.
Një thyerje mes qeverisë dhe mjekut të njohur shihet edhe në këto rreshta. “Një shtysë e fuqishme për të vijuar udhën e ndjekur prej mbi 40 vitesh, atë të përkushtimit, punës e profesionalizmit në përfaqësimin e më të mirës së një Mantelbardhi….E vështirë, kërkon sakrifica të përditëshme, të pengon të marësh atë që të përket nëse je antikonformist, por jo e pamundëshme nëse e ke nisur misionin e dhënies së përkujdesjes mjeksor ndaj atyre që kanë nevojë për të, duke qënë në të përminutshmen e saj vetvetja”.
Pak ditë më parë, mjeku Tritan Kalo u distancua nga vendimet e qeverisë për masat shtërnguese, duke thënë se komiteti i ekspertëve ku ai bën pjesë, thjesht jep sugjerime, por vendimet i merr politika. Kalo është tërhequr gjithashtu nga daljet publike duke mos u bërë më pjesë e aktiviteteve shtetërore./ Abcnews.al