Mjeku që u premtonte pacientëve mrekullira me operacione plastike përfundon në gjyq

schedule09:12 - 22 Nëntor, 2021

schedule 09:12 - 22 Nëntor, 2021

23 vjeçari Sava Knezheviq nga Beogradi ka kryer dhjetra operacione. Pesë vjet ai ka bërë sikur ishte mjek dhe ka trajtuar shumë gra, megjithëse nuk është mjek. Tani ka përfunduar në gjyq i akuzuar për mashtrim.

Zmadhim buzësh, gjoksi, thithje dhjami, hekurosje lëkure: kërkesat për ndërhyrje plastike janë të mëdha. Dhe herë pas here shfaqen sharlatanë, që bëjnë sikur janë mjekë dhe u premtojnë pacientëve mrekullira. Edhe kjo ndodh në Ballkan.

Në një klinikë elegante në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, 23 vjeçari Sava Knezheviq është hequr si kirurg operacionesh plastike me përvojë ndërkombëtare në kryerjen e operacioneve plastike. „Personeli i specializuar” që buzëqesh, 26 diplomat që varen në muret e klinikës dhe mobilimi modern, zgjojnë besimin tek pacientët.

Knezheviq u hoq sikur ishte specialist 32 vjeçar, me përvojë në kirurgjinë plastike dhe mjekësinë regjenerative, por edhe si shkencëtar dhe docent i njohur në botë. “Unë jam drejtor për çështjet mjekësore në zinxhirin e klinikave „‘La Clinique de Paris, klinika që merren me rinimin, Anti-Aging, dhe pedagog e docent ndërkombëtar”, i shkruante Knezheviqi një pacienteje e cila e ka bërë emailin publik.

Mjeku gjoja thotë se ka punuar me sukses jo vetëm në Beograd, por edhe në Dubai, Zyrih, Tiranë. Në një fushatë reklamash për klientet në Shqipëri, Knezheviq thotë: “Ne jemi të parët në Shqipëri, që bëjnë trajtim të qelizave staminale dhe në mjekësinë regjenerative. Unë flas për trajtime hormonesh, qeliza staminale, mjekësi estetike, mjekësi ushqimi dhe mjekësi për zgjatjen e jetës.”

Kirirgu që në fakt është fizioterapist

I ashtuquajturi “Dr.” Knezheviq do kishte vazhduar punën e tij, sikur të mos kishin hapur gojën viktimat. Një grua që do të mbetet anonime, i tha Deutsche Welle-s në një intervistë, se ajo ka zmadhuar tek Knezheviqi buzët dhe gjoksin, dhe ka bërë tërheqje të lëkurës së fytyrës. “Goja ime është tani me defekt. Unë nis të them diçka dhe goja bën tjetër gjë. Unë nuk i ndiej më buzët,” tregon ish pacientja.

Sikur të mos mjaftonte kjo, gruaja ka qenë madje në rrezik për jetën, pasi „mjeku” i injektoi tek gjoksi dhjamin e barkut. Direkt pas ndërhyrjes ajo shkoi në spital: „Gjendrat e adrenaliës rrezikonin të bllokoheshin, mua mu helmua gjaku dhe gati vdiqa. Pesë ditë me radhë luftuan mjekët për jetën time,” tregon ajo.

Tani mjeku mashtrues duhet të përgjigjet para gjykatës për ngjarje të tilla. Cili është profesioni i tij i vërtetë? Masazhier! Duket se mashtrimin e bën e gjithë familja e tij: E ëma, shitëse lulesh, punonte në klinikën e të birit si infermiere. Kur u zbulua mashtrimi, Kezheviqi tha se mediat gënjejnë. Por menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai e mbylli klinikën.

Ikja, arrestimi dhe procesi gjyqësor

Doktori që nuk është doktor u largua së bashku me të ëmën dhe u fsheh tek farefisi në një fshat të vogël të Serbisë. Pas një muaji policia i gjeti dhe i arrestoi. Në shtëpinë e farefisit, u gjetën dëshmi të panumërta për mashtrimet shumëvjeçare dhe qindra dokumente të klinikës.

Procesi gjyqësor kundër pseudo mjekut dhe „infermieres” së tij fillon më 26 nëntor 2021. Prokuroria kërkon dënimin me tetë vjet e gjysmë heqje lirie dhe gjobë prej 800.000 dinarësh (rreth  7000 Euro) për Knezheviqin si dhe një vit arrest shtëpie për të ëmën.

Reporterët e DW u përpoqën të vendosnin kontakt me Knezheviqin gjatë kohës që ndodhej tek farefisi, por pa sukses. Vetëm nga shtëpitë e komshinjve dolën njerëz që thonin: „Lërini njerëzit të qetë, ata janë të pafajshëm!”, “kthehuni në Gjermani dhe xhironi atje!”. Banorët e fshatit janë të bindur se mediat gënjejnë dhe sajojnë histori të pavërteta.

Rast precedent

Gjykimi i Knezheviqit është kthyer në rast precedent në Serbi. Të paktën tetë mjekë të tjerë janë zbuluar të jenë mashtrues. Ata të gjithë kanë bërë fushata agresive në rrjetet sociale për të fituar sa më shumë pacientë, por asnjë prej tyre nuk ka pasur leje pune nga Dhoma e Mjekëve ose ndonjë leje pune si mjek.

Kirurgu serb Predrag Matejin, thotë se fenomeni nuk është i papritur. Ai thotë se firmat i shesin produkte si Hyaluronacid dhe Botox, klientëve që nuk janë aspak kritikë dhe nuk kontrollojnë nëse shitësi ka diplomë apo licencë për shitjet që bën. Kështu mashtruesit e kanë të lehtë të bëjnë biznesin e tyre.

Institucionet e shëndetësisë e kanë të vështirë të zbulojnë mashtruesit, sidomos kur regjistrimi nuk bëhet në mënyrë korrekte. Është paradoksale që sallonet e bukurisë nuk kontrollohen, megjithëse ndërhyrjet estetike janë shtuar,” thotë Matejin, mjek për ndërhyrjet plastike dhe kirurgjinë estetike.

Në këtë mënyrë vendimin, kujt t’ia besojnë trupin e tyre, klientët e marrin vetë. Përveç kësaj, mashtruesit shfrytëzojnë refuzimin që mjekët e tjerë i bëjnë ndërhyrjeve të panevojshme: “Para pak kohësh kisha një paciente, që ishte e re për të bërë ndërhyrjen që kërkonte. Unë nuk pranova të ndërhyja. Dhe ajo tha: „Mirë, nëse nuk e bëni ju, do gjej dikë tjetër që ta bëjë.”

Alternativa ka gjithnjë, sepse mashtruesit nuk druhen nga asgjë, edhe nëse venë në rrezik shëndetin dhe jetën e të tjerëve./DW