Mjekja: Gratë shtatzëna të kenë kujdes nga vapa

schedule20:27 - 9 Qershor, 2022

schedule 20:27 - 9 Qershor, 2022

Temperaturat e larta gjatë stinës së verës, ia vështirësojnë gjendjen shëndetësore grave shtatzënë. Një grua shtatzënë gjatë 9 muajve të pritjes së ëmbël, shoqërohet nga një temperaturë e trupit më e lartë se vlerat normale për shkak të ndryshimeve hormonale.

Nëse temperatura e saj rritet ndjeshëm për shkak të nxehtësisë, mund të rrezikohet edhe bebi. Mjekja Obseter-Gjinekologe e spitalit Hygeia Radiola Hoxha, thotë se më të rrezikuara janë gratë në trimestrin e tretë.

“Një nga problemet kryesore është dehidratimi. Situata e dehidratimit shoqwrohet me simptoma të tilla si; rritja e temperaturës së trupit mbi 39 gradë, dhimbje koke, të përziera, vështirësi në frymëmarrje. Duhet të kuptojmë që nëse temperatura e një gruaje shtatzënë është mbi 39 gradë, temperatura e bebit rritet me një ose dy gradë. Kështu pasojat tek bebi mund të jenë serioze. Nëse kjo situatë kalohet në trimestrin e parë, mund të sjellë anomali fetale. Nëse situata e dehidratimit kalohet në trimestrin e tretë, mund të sjellë kontraksione të lindjes, madje edhe lindje të parakohshme. “

Ajo ka disa këshilla se si mund të mbrohen nga temperaturat e larta të stinës.

“Së pari është e rëndësishme të jenë të hidratuara. Një grua shtatzënë duhet të jetë e hidratuar gjithë ditës. Të pijnë ujë sa më shumë, mbi dy litra në ditë. Të mos ekspozohen në orët më të nxehta të ditës. Aktivitetet e tyre ditore, punët e tyre ose ndonjë aktivitet fizik me të cilin ato merren, të zhvillohet në orët e para të mëngjesit ose pasdite. Sigurisht që duhet të ruhen nga dielli duke përdorur kremra me SPF të lartë.”

Mjekët këshillojnë për ato gra të cilat kanë dëshirë të merren me aktivitet fizik, të praktikojnë notin. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!