Mitsotakis në OKB: I zgjata dorën e miqësisë Erdoganit, u përgjigj me provokime dhe agresion

schedule19:01 - 25 Shtator, 2020

schedule 19:01 - 25 Shtator, 2020

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar gjatë fjalës së tij në sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se vitin e shkuar i ka zgjatur një dorë miqësie presidentit turk Recep Tayp Erdogan, por hasi në provokimet e këtij të fundit.

“Sfida tjetër e madhe gjeopolitike me të cilën përballemi ka të bëjë me Turqinë. Në Asamblenë e Përgjithshme vitin e kaluar, unë shpreha qëllimin tim për t’i zgjatur një dorë miqësie dhe bashkëpunimi presidentit Erdogan. Unë madje fola për gatishmërinë time që Greqia të veprojë si një urë që do të ndihmojë Turqinë të arrijë Evropën. Fatkeqësisht, pavarësisht se Greqia vendos besimin, dialogun dhe mirëkuptimin në zemër të një politike të jashtme të bazuar në vlera, Turqia është përgjigjur me përshkallëzim, provokim, keqinformim dhe agresion. Ndërsa Greqia ka zgjedhur rrugën e dialogut me mirëbesim, Turqia ka zgjedhur rrugën e papajtueshmërisë”, u shpreh Mitsotakis.

Ai tha se veprimet e Turqisë minojnë ligjin ndërkombëtar dhe kërcenojnë sigurinë e Mesdheut Lindor, duke nënvizuar edhe qëndrimin e BE për tensionet mes dy vendeve. “Padyshim, veprimet e Turqisë minojnë ligjin ndërkombëtar dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit më të gjerë të Mesdheut Lindor por edhe i të gjithë Shteteve Anëtare të BE. Bashkimi Europian e ka bërë plotësisht të qartë se veprimi i njëanshëm nuk do të mbetet pa përgjigje kur kërcënon të drejtat sovrane të Shteteve Anëtare.”

Mitsotakis u shpreh përshkallëzimi i toneve nuk mund të vazhdojë, ndërsa u shpreh optimist për një urë dialogu mes dy vendeve duke marrë shembull marrëveshjen mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Të gjithë e kuptojnë se kjo përshkallëzim i vazhdueshëm i tensionit nuk mund të vazhdojë. Dhe unë nuk mendoj se bashkëpunimi midis fqinjëve të ngushtë nuk është i mundur. Shikoni marrëveshjen e fundit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Të dy vendet janë miq të Greqisë, tani janë miq me njëri-tjetrin. Vitet e dyshimit dhe urrejtjes janë zëvendësuar nga një frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi reciprok. Le të takohemi, të flasim dhe të kërkojmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme. Le t’i japim një shans diplomacisë. Nëse, në fund të fundit, ende nuk mund të pajtohemi, atëherë duhet t’i besojmë mençurisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, tha ai./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!