Për rrogën që merr ia vlen të luajë në atë vend. Arabia Saudite nuk ka vetëm Mekën, qytetin e shenjtë të myslimanëve, por cilësohet edhe “Meka e futbollit”, me paga të larta, siç e ka edhe Mario Mitaj.
Gjithsesi, edhe me 3 milionë euro në sezon, rreziku është i madh kur nis lufta dhe ndeshjet e radhës në Ligën Profesioniste Saudite janë në pikëpyetje.
Me luftën e rrezikshme mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, që ka përfshirë rajonin, ende nuk është marrë ndonjë vendim, ndërsa ekipi I shqiptarit, Al Itihad, do të luajë këtë të premte në fushën e rivalit, Al Ahli.
Gjithsesi, e keqja është shumë pranë e Katari e ka ndërprerë kampionatin dhe çdo aktivitet tjetër sportiv.
Po ashtu, Federata Aziatike e Futbollit ka vendosur të shtyjë ndeshjet e të tetave të finaleve të Championsit kontinental ku marrin pjesë skuadra të Gjirit Persik.
Al Itihad I Mitajt duhej të luante kundër Al Uahdës, dhe në Ligën e Kampionëve janë edhe ekipe të tjera saudite si Al Hilal apo Al Ahli, si dhe ekipi nga Irani, Traktor I Tabrizit.
Sfidat ishin parashikuar në 9 e 11 mars, por janë zhvendosur për më vonë.
Klubet saudite dhe Federata e tyre kanë propozuar që ndeshjet të luhen në fusha asnjanëse, por për momentin nuk ka ndonjë ndryshim./abcnews.al


