Misteri i investitorëve strategjikë që po pronësojnë bregdetin!

schedule18:46 - 31 Maj, 2022

schedule 18:46 - 31 Maj, 2022

Nga Mentor Kikia

Socialistët vendosën të mos e hapin kasafortën ku kanë mbyllur procedurat për shpalljen e “Investitorëve Stragjikë” dhe dhënien e lejeve për ndërtimin e rezorteve turistike në bregdet. Ata e rrëzuan kërkesën e opozitës për një komision hetimor parlamentar për këtë çështje.

Ligji i miratuar që në vitin 2015, në fakt, parashikon se investitorët strategjikë mund të investojnë edhe në fusha të tjera, si energji, miniera, infrastrukturë etj etj. Por të gjithë janë “lëshuar” në turizëm, në ndërimin e rezorteve në bregdet, kryesisht në Jug të vendit. Përjashtuar portin e ri në Durrës në Porto Romano dhe aeroportin në Akërni të Vlorës.

Asnjë prej këtyre investitorëve nuk është i huaj.

Të jemi realistë. Shqipëria nuk do të zhvillojë dot turizëm as elitar e as masiv, me hotele me nga 10-15 dhoma, pa pishina, pa mjedise argëtuese, pa infrastrukturë çlodhëse etj. Rruga e vetme për të rritur kapacitetet akomoduese dhe standardet, është ndërtimi i rezorteve të mëdha. Por këto lloj investimesh kanë nevojë për hapësirë, truall dhe shumë para. Dhe mbi të gjitha, kanë nevojë për një ndërmjetës si shteti për të hyrë e zgjidhur mosmarrëveshjet e pronësisë me pronarë të ligjshëm, pronarë me dokumenta të falsifikuara e vendime gjykate zyrtare, qiraxhinj e zaptues pronash. Asnjë investitor serioz, vendas apo i huaj, nuk dëshiron të futet në një zonë, ku “pushka” mund të përdoret lehtë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Megjithatë, edhe pse, siç e theksuam më lart, ligji për investimet strategjike ka një fokus më të gjërë, ai duket i prodhuar posaçërisht për turizmin. Në pamje të parë, ndërtimi i këtyre rezsorteve, me kosto nga 7 deri 55 milion Euro, është një gjë shumë pozitive. Madje, aq më mirë që deri tani këta që kanë marrë këtë status janë shqiptarë dhe jo të huaj.

Por çfarë ka që nuk shkon në këtë histori?

Fare thjeshtë: Transparenca. Kush janë ata që fitojnë këtë status? Ku i gjetën paratë?

Përse janë kaq shumë të rëndësishme këto?

Sepse disa emra që janë bërë publikë, hedhin dyshimë serioze se ky proces, është një shpërdorim me përmasa të mëdha i pronës publike. Një shpërdorim i bërë në mënyrë të ligjshme dhe një ligj i bërë në mënyrë të qëllimshme.

Dy kompani marrin leje në një zonë të mbrojtur si ajo e parkut të Butrinit, dhe tre muaj pasi jepet leja, territori hiqet nga zona e mbrojtur. Në këtë histori, ose duhet të mbajë përgjegjësi ai që dha lejen ndërtimi në zonë të mbrojtur, ose ai e dekonspiroi ndryshimin e statusit të zonës, dhe mundësoi që dikush të aplikojë për leje pikërisht në këtë zonë.

Në një zonë tjetër del një sipërmarrës, bashkëshorti i një ministrejeje. Diku tjetër ortak një aktor, që ka kontribuar shumë në fushatat elektorale të socialistëve në pushtet. Diku tjetër një sipërmarrës fare pranë oligarkisë financiare dhe politike. Opozita thotë se këta janë të lidhur të gjithë me kupolën e pushtetit.

Sërish nuk ka asgjë të keqë që ata të investojnë në një sektor kaq shumë jetik për ekonominë e vendit, siç është turizmi.

Por, a mos vallë këtu po investohen paratë që janë fituar nga korrupsioni?

Mos vallë po investohen paratë që kompanitë kanë përfituar nga fondet publike, përmes koncensioneve dhe tenderave korruptivë?

Mos vallë janë duke u investuar para të dyshimta që burojnë nga aktivitete kriminale, duke u legalizuar në këtë mënyrë?

Të gjitha këto janë hipoteza, por dyshimet mund të qëndrojnë derisa ka një errësirë totale. Ekonomia dhe turizmi ynë vërtet janë të etur për investime të këtyre përmasave(55 milion Euro një rezort është një gjë e madhe edhe në vendet me turizëm shumë të zhvilluar), por investime të mëdha me para të dyshimta, dhe mbi të gjitha, me truall të dhuruar nga shteti, me rrugë, kanalizime, energji elektrike etj, të ndërtuara sërish me paratë e taksave tona, është një deformim i rëndë i konkurencës, përballë atij që investon në truall të blerë dhe financim të marrë borxh në banka.

Mbi të gjitha, ne nuk mund  të pranojmë që ata që u pasuruan duke vjedhur taskat tona, të shndërrohen në pronarë të bregdetit, dhe ne sërish të vazhdojmë të punojmë për të mbështetur investimet e tyre.

Një popull i tërë nuk mund të punojë për të ushqyer makinerinë e pangopshme të një grushti njerëzish, bërë njësh politikanë e biznesmenë, që po ndajnë në copa Shqipërinë.

Nëse e gjitha kjo është një paranojë publike, atëherë mjafton të bëhet transparencë dhe të gjithë tu themi “puna e mbarë” atyre që po i ndryshojnë faqen turizmit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!