Vijon misteri i zhdukjes së trafikantit shqiptar të drogës Moisi Habilaj i cili u arratis më 11 Janar teksa ishte në arrest shtëpie në Itali. Mediat italiane kanë rindërtuar lëvizjet e tij në ditët e fundit para arratisjes. Sipas Meridionews.it në periudhën e sezonit të festave bashkëshortja dhe fëmijët u nisën nga Shqipëria me traget. Fillimisht ndaluan në portin e Brindizit për të shkuar drejt Siçilisë e cila ndodhet më pak se 8 orë larg shtëpisë ku po qëndronte Moisi Habilaj.
Gjatë kësaj lëvizjeje, gruaja është ndaluar nga policia . Një kontroll rutinë për shkak të masave anti-Covid-19. Më 30 Dhjetor policia trokiti në derën e Habilajve. Media italiane raporton se ishin efektivët e skuadrës së lëvizshme Catania me mbështetjen e kolegëve nga stacioni i policisë Caltagirone . Habilaj, siç raportojnë burime të ndryshme për MeridioNews, është marrë dhe dërguar në zyrat në Via Santa Maria di Gesù.
Për çfarë arsye? Duket se askush nuk dëshiron të përgjigjet për këtë pyetje. Avokatët e trafikantit të drogës, nuk janë të pranishëm dhe as nuk njoftohen për këtë “shëtitje”. Agjentët e Caltagirone nuk merren me atë shërbim dhe me sa duket ata as nuk hyjnë në dhomën ku ndodhet Habilaj. Gjithashtu e vetmja përgjigje që vjen është një referim i një organi tjetër: “Ne nuk kemi asnjë informacion, procedimi u bë nga Policia e Financave”.
Në fund të 30 dhjetorit, Habilaj u rikthye në shtëpi. Në ditët në vijim, me sa duket në ditët e para të Janarit 2021, gruaja e tij largohet për në Shqipëri. Smartphone-i i Habilajt bëhet i padisponueshëm të Shtunën 9 Janar. Përpjekjet për të telefonuar nga vëllai i tij që jeton në Siçili ishin të kota. Në ditët në vijim karabinierët kryejnë një kontroll rutinë në banesën e Habilajt por ai tashmë është larguar.
Media italiane kthen në vëmendje se në mes të dhjetorit Habilaj kishte marrë konfirmimin në apel të dënimit me 15 vjet e 5 muaj për trafik ndërkombëtar droge nga Shqipëria drejt Siçilisë. Një histori, raporton ajo, që në Shqipëri pati një jehonë të madhe mediatike për shkak të lidhjes farefisnore së Habilajt me ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri./mv.abcnews.al