Misteri i armës që u gjet në zonën ku u vra Klodian Rasha, çohet për ekspertizë jashtë

schedule15:47 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 15:47 - 18 Dhjetor, 2020

Nga Glidona Daci

Vazhdon të jetë mister arma e gjetur rreth 200 metra vendit ku u vra 25 vjeçari Klodian Rasha. Në ekspertizat e mbërritura në prokurori nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Duke qenë se ajo është gjetur në një pellg me ujë është thuajse e pamundur për të gjetur gjurmë daktiloskopike dhe biologjike. Ndërkohë burime bëjnë me dije se arma tip “Zoraki” do të dërgohet për një ekspertizë në një laborator jashtë vendit.

Me shpresën se do të arrijnë të zbulojnë gjurmë që mund ti dërgojnë drejt poseduesit të armës. Po ashtu prokuroria po heton të gjitha pistat e mundshme për armën nëse i përkiste viktimës, nëse është hedhur aty nga ndonjë person tjetër apo është lënë nga dikush pas ngjarjes. Gjithashtu grupi hetimor është në përfundim të kqyrjes së pamjeve filmike por në fakt ka rezultuar se vendi ku është gjetur pistoleta nuk ka pasur kamera sigurie.

Burimet thonë që në bazë të ekspertizës ka rezultuar se predha e parë që pa prekur qepenin e një servisi është në lartësinë 119 centimetra dhe plumbi i dytë që i mori jetën 25 vjeçarit është gjuajtur në lartësinë 154 cm. Më këtë argument prokuroria ka rrëzuar deklarimet e dhënë në fillim nga efektivi i forcave Shqiponja që qëlluar në pjesët e poshtme të gjymtyrëve.

Pas përfundimit të gjitha veprimeve prokuroria e Tiranës ka paralajmëruar se do të ashpërsojë akuzën për Nevaldo Hajdarjan. Në bazë të provave akuza mund të ndryshojë nga vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme në “vrasje me dashje” por do të jetë provat që do të vendosin edhe fatin e efektivit. Gjithashtu organi i akuzës po verifikon nëse viktima dhe autori janë takuar më herët më njëri tjetrin./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!