Mister edhe pas 59 vitesh, përkujtohet misioni sekret i ushtarëve amerikanë në 1962

schedule12:23 - 6 Maj, 2021

schedule 12:23 - 6 Maj, 2021

Nga Rachel Trent, CNN

Familjet e ushtarëve të zhdukur që ishin pjesë e një misioni sekret të SHBA gjatë Luftës së Vietnamit prej kohësh dëshironin që emrat e të afërmve të tyre të përfshiheshin në Memorialin e Veteranëve të Vietnamit në Uashington.  Avioni  Flying Tiger Line Flight 739  u zhduk mbi Oqeanin Paqësor në 1962.

Por familjarët e anëtarëve të zhdukur thanë se më në fund ata do të kenë një memorial. Ceremonia do të mbahet në 15 maj për të nderuar personat që humbën jetën në fluturimin 739.

Një mision sekret

Ka shumë pyetje që kanë mbetur pa përgjigje në lidhje me atë që ka ndodhur me avionin. Ai u zhduk më 16 mars 1962, ndërsa ishte nisur për në Filipine nga Guam.  Një shpërthim u raportua afër vendit ku  duhej të ulej avioni, por asnjë gjurmë e avionit nuk u gjet, raporton abcnews.al

 

Në bord ishin 93 ushtarë amerikanë, 11 anëtarë të ekuipazhit dhe tre ushtarë të Vietnamit të Jugut.  Detajet e misionit të tyre nuk janë zbuluar publikisht.  Jennifer Kirk, mbesa e Spc. Donald Sargent, i cili ndodhej në avion ka qenë në kontakt me disa anëtarë të familjes së anëtarëve të tjerë që ishin në mision.

Ajo tha për  CNN se shumë prej tyre besonin se mbase nuk do të ktheheshin kurrë në shtëpi. Departamenti i Mbrojtjes ka deklaruar se personat në Flying Tiger Line Flight 739 nuk mund të kishin emrat e tyre në Memorialin ekushtuar luftës së Vietnamit sepse ata nuk ishin në një zonë luftarake kur u zhdukën, tha Kirk.

Donna Ellis ishte 5 vjeç kur humbi babanë e saj, Staff Sgt. Melvin Lewis Hatt. Ajo tha se nuk mban mend shumë gjëra nga ajo periudhë, por ka luftuar për të vendosur emrin  e babait të saj në memorialin në Uashington.

 

Në përpjekjen e Ellis për të përfshirë këta emra, ajo i shkroi senatorit Gary Peters,Michigan. Peters prezantoi një projekt-ligj në 2019 për të vendosur emrat e ushtarëve nga Fluturimi 739 në Memorialin e Veteranëve të Vietnamit.

Kirk dhe Ellis thanë se ata do të vazhdojnë të luftojnë për të vendosur emrat e anëtarëve të familjes së tyre në memorial. Morrill Worcester, themeluesi i Wreaths Across America, vendosi të ndërtojë monumentin në vendin e tij pasi bisedoi me familjen e Kirk.

Kirk tha se familja e saj u trondit kur dëgjoi se më në fund  dikush do të bënte diçka. Më në fund, emrat e të gjithë veteranëve do të jenë në memorialin kushtuar Luftës së Vietnamit./abcnews.al