Në një kohë kur marrëdhëniet sfidohen çdo ditë nga ritmi i jetës, stresi dhe mungesa e komunikimit, Nedi dhe Jorida, një çift bashkëshortësh që jetojnë mes Çikagos dhe Norvegjisë, vijnë në studion e ABC së Mëngjesit për të folur hapur mbi martesën, sfidat dhe mënyrën sesi një lidhje mund të ushqehet për të zgjatur.
Pas 30 vitesh martesë, ata vijojnë ta quajnë njëri-tjetrin “mish e thua”, jo sepse gjithçka ka qenë e lehtë, por sepse, siç thonë vetë, martesës i kanë dhënë “vitaminat” e duhura: komunikim, respekt, kohë dhe mirëkuptim.
Historia e tyre nisi në Vlorë, në vitin 1993, kur u njohën duke punuar së bashku në ndërtimin e një kishe, menjëherë pas rënies së komunizmit. Që prej asaj kohe, jo vetëm ndërtuan jetën e tyre bashkë, por për më shumë se 25 vite iu përkushtuan edhe familjeve shqiptare, duke punuar me çiftet dhe marrëdhëniet martesore.
Sot, përmes podcast-it të tyre “Mish e Thua”, ata flasin hapur për tema të thella, sfida reale dhe problemet që shumë çifte i përjetojnë në heshtje. “Martesa nuk është vetëm një koncept, por një përvojë që rritet çdo ditë”, thonë ata.
Për çiftin, një martesë e shëndetshme është themeli i një familjeje të shëndetshme dhe një bekim jo vetëm për bashkëshortët, por edhe për fëmijët dhe njerëzit që i rrethojnë. Sipas tyre, shoqëria shqiptare po ndryshon shumë shpejt dhe kjo ka sjellë stres të madh në marrëdhënie, ndaj është bërë edhe më e rëndësishme të flitet hapur për martesën.
“Harrojmë të jemi mirënjohës dhe të themi faleminderit”, shprehen ata, duke theksuar se respekti është një nga “vitaminat” më të harruara në martesë. Shpesh, sipas tyre, njerëzit tregojnë më shumë respekt për miqtë dhe të huajt sesa për partnerin e jetës.
Një tjetër problem që dëmton lidhjen është egoja. “Kur egoja hyn në mes, lidhja fillon të dëmtohet. Nuk luftojmë kundër njëri-tjetrit, por bashkë kundër problemit”, thonë Nedi dhe Jorida, duke shtuar se kur humbet njëri, humbet edhe tjetri.
Ata besojnë se debatet në martesë nuk lindin vetëm nga problemet e momentit, por nga mënyra sesi jemi formuar. Dy njerëz vijnë nga familje të ndryshme, me zakone, pritshmëri dhe rregulla të pashkruara krejt të ndryshme. Për këtë arsye, komunikimi dhe dëgjimi bëhen kyç.
“Qëllimi nuk është të fitojmë debatin, por të kuptojmë njëri-tjetrin”, shprehen ata, duke kujtuar se shumë çifte nuk zihen, por megjithatë nuk ndihen mirë, sepse distanca emocionale krijohet ngadalë.
Për Nedin dhe Joridën, martesa nuk kërkon perfeksion, por prani. Koha me partnerin nuk është rastësi, por zgjedhje. “Dasma është një ditë, por martesa është një jetë. Investimet duhen bërë në martesë, jo vetëm në dasmë”, thonë ata.
Në një epokë ku të qenit i zënë shihet si sukses, ata ngrenë pyetjen e rëndësishme: kush duhet të ketë prioritet – puna apo familja? Sipas tyre, suksesi në shtëpi është trashëgimia më e madhe që mund të ndërtojë një njeri.
Sepse, siç e përmbyllin vetë: “Martesa nuk mbahet vetëm me një ditë Shën Valentini. Ajo do lule çdo ditë.”


