Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka përshëndetur vendimin e Presidentit Meta, i cili dekretoi tre anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Soreca përmes një postimi në rrjetin social Twitter është shprehur se Gjykata e Lartë është funksionale për qytetarët shqiptarë.
“Ne e mirëpresim vendimin e Presidentit Meta për të emëruar tre anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë dhe urojmë KLGJ për këtë arritje të rëndësishme. Gjykata e Lartë tani është funksionale për të shërbyer me integritet të lartë për qytetarët shqiptarë”, shkruan Soreca.
Tre anëtarët e Gjykatës së Lartë që vijnë nga radhët e juristëve të spikatur janë Sokol Sadushja, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor./abcnews.al