Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan ka votuar për ta çuar përpara një projektligj, ku i kërkohet Sekretarit të Shtetit të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe.
Projektligji u iniciua nga kongresisti republikan Keith Self, i cili tha se shqiptarët në Luginë vazhdojnë të diskriminohen, teksa ka përmendur pasivizimin e adresave të shqiptarëve.
“Një raport i vitit 2021 i publikuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut tha se Serbia mund të jetë duke kryer një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative ndaj shqiptarëve”
Edhe nënkryetari i Komitetit, Gregory Meeks, tha se mungesa e marrjes së përgjegjësisë nga ana e Qeverisë së Serbisë për krimet e kryera ndaj pakicave etnike në rajon, përfshirë shqiptarët etnikë, mbetet një pengesë në paqe të qëndrueshme sot.
Për vendimin e Komitetit amerikan ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, i cili ka theksuar se beteja e gjatë u kurorëzua me sukses tani, ndërsa kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi vendimin e Komitetit si mesazh të qartë për Beogradin.
Pas shqyrtimit të plotë në komision, projekligji do t’i dërgohet Dhomës së Plotë të Përfaqësuesve për votim. Më pas ai miratohet nga Senati dhe nënshkruhet nga presidenti.
Projektligji kërkon të vlerësohen çështje më rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave (që nënkupton humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension apo për t’u punësuar), kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike; diskriminimin në arsim, mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. / abcnews.al /


