Miratohen ndryshimet në ligjin mbi Liritë Fetare në Malin e Zi

schedule17:56 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 17:56 - 29 Dhjetor, 2020

Parlamenti i Malit të Zi këtë të martë ka miratuar ndryshimet në ligjin mbi Liritë Fetare. Në seancën e sotme 41 deputetët e shumicës qeverisëse votuan për miratimin e tij, ndërkohë që deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në seancë.

Deputetët e koalicionit promalazez “E zeza mbi të bardhë” të Dritan Abazoviçit paraqiten disa nene të veçanta duke sugjeruar përmirësime ligjore.

Ata propozuan që në nenin 19, të shtohet paragrafi i cili ravijëzon se: “Një komunitet fetar, qendra e të cilit është jashtë vendit, është i detyruar të regjistrohet në Regjistrat e Unifikuar të Malit të Zi dhe të veprojë sipas rendit ligjor të këtij shteti”.

Ky ndryshim, sipas koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, siguron që të gjitha bashkësitë fetare të respektojnë ligjet, sovranitetin dhe integritetin territorial të Malit të Zi, por edhe të veprojnë brenda rendit juridik të unifikuar të Malit të Zi.

Këto janë ndryshimet e para të qeverisë së re malazeze, e cila vlerësohet se është nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Mbështetës të opozitës dhe shoqatat joqeveritare protestuan të hënën dhe të martën para selisë së Parlamentit të Malit të Zi kundër ndryshimeve të Ligjit për Liritë Fetare. Pjesëmarrësit me flamujt kombëtar të Malit të Zi nga të gjitha qytetet e vendit u tubuan në Podgoricë. Ata akuzuan shumicën e re parlamentare si proserbe dhe tradhtarë të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!