Me një zë të qetë, por me emocion të thellë, Miranda Alimucaj, një grua që sot është rikthyer në bankat e shkollës, ndau në “ABC e Mëngjesit” një histori të rrallë, të mbushur me sfida, plagë të vjetra, rikthime të guximshme dhe një dashuri që i ka dhënë kuptim jetës së saj.
“Po rikthehem në gjimnaz për herë të dytë. Më parë kam qenë në gjimnazin ‘Harry Fultz’, por nuk munda ta përfundoja sepse u zhvendosa në Itali,” – tregon Miranda, duke kthyer pas në kohë një histori që s’mbaron me largimin nga shkolla, por nis pikërisht aty.
E rritur në varfëri, e bullizuar në adoleshencë dhe me një fëmijëri të vështirë, ajo rrëfeu se ka përjetuar shpesh ndjesinë e të qenit e përjashtuar.
“Vija nga një familje e varfër, dhe jam tallur nga moshatarët e mi. Në klasë vinim nga shtresa të ndryshme ekonomike dhe vetëm një shoqe kam pasur.” – tha ajo me një sinqeritet prekës.
Një dashuri në traget.
Historia e saj mori një kthesë të papritur, kur në një udhëtim me traget, ku kishte vendosur të rikthehej përfundimisht në Shqipëri, ndodhi diçka që s’e kishte menduar kurrë.
“Lashë gjithçka pas; punën, jetën time në Itali dhe mora valixhen për të filluar nga e para. Në terminalin e trageteve pashë dy persona duke u zënë. Afrova të shihja çfarë po ndodhte. Njëri prej tyre më bërtiti të mos ndërhyja,” – rrëfen ajo.
Por ajo që nisi me një fjalë të ashpër, përfundoi në një bisedë që zgjati përgjithmonë. “U pendua që më foli ashtu. Më erdhi më vonë dhe nisëm të bisedonim. Që nga ai moment jemi të pandashëm,” – tha Miranda për partnerin e saj, i cili është 10 vite më i ri. Por rruga e kësaj dashurie nuk ka qenë e lehtë. Ajo rrëfen se familja e saj ende nuk e ka pranuar lidhjen e tyre dhe se kjo e vret tej mase. “Nuk e di pse nuk e pranojnë dashurinë tonë. Por ne jemi të lumtur. Kemi gjetur njëri-tjetrin dhe kjo mjafton. Dashurisë nuk i kthehet kurrë shpina,” – u shpreh ajo me bindje./abcnews.al

