Miqësoret e radhës për Shqipërinë U-19/ Kuqezinjtë e Ervin Bulkut presin Azerbajxhanin në shtëpi

schedule13:45 - 29 Gusht, 2023

schedule 13:45 - 29 Gusht, 2023

Pas miqësores së luksit ndaj Italisë, kampionës së Europës për grupmoshën U-19 në muajin gusht, Shqipëria U-19 do të zbresë sërish në fushë për të zhvilluar dy ndeshje miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Azerbajxhanit.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Azerbajxhanit kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy takimeve në muajin e ardhshëm, përkatësisht në datat 9 dhe 11 shtator në vendin tonë.

Ndeshja e parë e kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Ervin Bulku është planifikuar të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’, më 9 shtator duke nisur nga ora 16:30, ndërsa takimi i dytë është programuar të luhet dy ditë më vonë, më 11 shtator në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në ora 16:30. Kuqezinjtë do të grumbullohen në Tiranë të martën e 4 shtatorit, teksa do të zhvillojnë përgatitjet për këto dy miqësore në fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Lista e lojtarëve të grumbulluar do të bëhet me dije në vijim nga trajneri Ervin Bulku.

Këto dy ndeshje miqësore ndaj Azerbajxhanit janë një tjetër mundësi e mirë për të kolauduar akoma më mirë skuadrën në prag të impenjimeve në kualifikueset e Europianit, ku synohet kalimin në ‘Elite Round’.

Nën drejtimin e trajnerit Ervin Bulku, kuqezinjtë kanë zhvilluar deri më tani tre ndeshje miqësore, dy kundër Kosovës, ku siguruan një fitore dhe një barazim, ndërsa në gusht u mposhtën nga kampionët e Italisë. Kombëtarja U-19 do të ketë edhe dy miqësore të tjera në muajin tetor, me rivalët që mbeten për t’u përcaktuar, ndërkohë që në muajin nëntor kuqezinjtë do të jenë të impenjuar në kualifikueset Europianit 2023-2024 për këtë grup-moshë.

Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Kombëtaren shqiptare U-19 në Grupin 13, së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023. Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese, kurse faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024./ h.ll/abcnews.al