Argjentina do të zhvillojë dy miqësore prestigjioze në mesin e muajit nëntor. Kombëtarja albiceleste do të përballet me Brazilin me datë 15 nëntor, ndërsa tre ditë më vonë është radha e duelit kundër Uruguait. Të dy këto sfida do të luhen në Riad të Arabisë Saudite.
Lionel Scaloni ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar dhe surprizat nuk mungojnë. Trajneri i kombëtares ka injoruar përsëri Mauro Icardin, edhe pse 26-vjeçari po aktivizohet dhe po shënon me PSG-në.
As Gonzalo Higuain nuk është grumbulluar, teksa rikthehet në kombëtare Leo Messi. Scaloni i ka besuar sërish Nicolas Gonzales, sulmuesit që luan në Bundesliga 2 me Stuttgartin. 21-vjeçari debutoi në fitoren 6-1 kundër Ekuadorit, miqësore që u luajt me 13 tetor. /abcnews.al
