Analisti Skënder Minxhozi i ftuar në ‘Log.’, në Abc të gazetarit Endri Xhafo, ka komentuar zhvillimet e fundit në Ukrainë, si dhe dialogun e liderve Europianë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Minxhozi theksoi se gjuha që po përdoret deri tani ndaj Putinit i jep atij mundësinë që të tregohet më i vrazhdë dhe më agresiv në qendrimet e tij.
Ai theksoi se kjo shihet shumë qartë tek veprimet ushtarake ruse në Ukrainë, të cilat rriten sa herë që ka diskutim mes palëve, duke iu referuar edhe bisedës së fundit të presidentit francez Emanuel Macron me Putin.
Ndërkohë Minxhozi e cilësoi Putinin një ari të plagosur i cili bëhet edhe më i rrezikshëm kur nuk ndihet mirë.
‘Ka një dilemë që është shprehur nga vendet e tjera veç Francës që flet me gjuhën e presidentit të saj, nëse është e udhës të komunikohet me këtë gjuhë me Putin, pasi jo vetëm i jep mundësinë atij që të shfaqet si një politikan i vrazhdë, por dhe si një person që vijon të ketë komunikim me perëndimin. Dilema është e madhe në terren se si në rastet kur Putin dialogon me krerët e europianë, por edhe kur ka dialog me palët për armëpushim operacionet ushtarake marrin hov. Një lojë me shumë porta e Putin, i cili ka deklaruar se më e keqja do të vijë më vonë. Kërkesat e Putin janë më shumë ultimatume se kërkesa. Ai është në pozitat e ariut të plagosur që bëhet edhe më i rrezikshëm kur nuk ndihet mirë’, tha Minxhozi.
Më tej analisti theksoi se është një gjë e mirë mbajtja hapur e rrugëve të komunikimit dhe dialogout, ndërsa theksoi se në rastin aktual liderët europianë të ekspozohen më pak, prandaj në këtë mënyrë do të ishte e udhës që në dialog të përfshiheshin edhe palë të treta. /Abcnews.al