Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof.Evis Sala dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilluan një takim sensibilizues me gratë dhe vajzat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut (RKV) në Vaun e Dejës, me qëllim ndërgjegjësimin për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Gjatë takimit, ministrja Sala theksoi se Programi Kombëtar i Depistimit të kancerit të Gjirit vazhdon gjatë gjithë vitit dhe apeloi për kontrolle periodike, në mënyrë që të parandalohen sëmundjet e rënda.
“Programi Kombëtar i Depistimit për Parandalimin e Kancerit të Gjirit vazhdon gjatë gjithë vitit. Në janar-tetor 2025 janë kryer rreth 16 000 mamografi, nëpërmjet mamografive stacionare dhe lëvizëse, një tregues i ndërgjegjësimi që duhet të vijojë gjatë gjithë vitit, pasi parandalimi shpëton jetë. Ndjesi e bukur për mua që si ministre, por mbi të gjitha si mjeke diagnostikuese të jem mes grave e vajzave që mbrojnë vendin dhe jetën”, tha Sala.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndër institucional për shëndetin dhe mirëqenien e efektivëve dhe komunitetit.
“Siç është tashmë traditë, bazat tona shërbejnë edhe si qendra për të mundësuar jo vetëm testimin dhe depistimin e grave e zonjave ushtarake që ushtrojnë detyrën në këto baza, por edhe për komunitetin”, nënvizoi ministri Vengu.
Në Regjimentin e Këmbësorisë së Veriut (RKV), në Vaun e Dejës u stacionua dhe një nga mamografitë lëvizëse, ku gratë dhe vajzat në uniformë, por edhe të komuniteti përreth kryen ekzaminimin falas.
Dy ministrat u takuan edhe me trupat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, të cilët i falënderuan për punën e bërë në misionin e tyre për sigurinë e vendit dhe ndihmën e madhe të dhënë në misionet e emergjencave civile.


