Universiteti i Tetovës është kthyer në skenën e radhës ku shqiptarët dhe gjuha shqipe nuk respektohen, madje përbuzen nga zyrtarët e lartë të qeverisë së drejtuar nga Hristian Mickoski.
Një ditë më parë, aty është mbajtur një debat për ligjin e ri për arsim të lartë, në të cilin ka marrë pjesë edhe ministrja, Vesna Janevska.
Pas debatit për ligjin, Janevska pati një përplasje verbale me gazetarët për shkak të gjuhës shqipe dhe kërkesës së saj që çdo gjë të përkthehet në gjuhën maqedonase.
Gazetarët kërkuan që ministrja Janevska të ketë përkthyesin e saj, ndërsa ajo u përgjigj që gjuhë zyrtare në vend është gjuha maqedonase.
“Maqedonia e Veriut ka një gjuhë zyrtare dhe një tjetër që e flasin komunitetet. unë ndodhem në Tetovë ku flitet gjuha shqipe. unë nuk duhet të kem përkthyes, ju duhet ta dini gjuhën maqedonase. unë pak kuptoj, por për të mos gabuar në përkthim, iu lutem që të më përktheni në mënyrën më të kulturuar”, tha ministrja e Arsimit e RMV, Vesna Janevska.
Veç kësaj, ajo kërkoi nga rektori Jusuf Zejneli që diskutimin në gjuhën shqipe mbajtur në auditor ta përsëriste edhe në maqedonisht. Në këtë takim universiteti i Tetovës kërkon tërheqjen e propozimit të ligjit të arsimit të lartë, pasi vlerësoi se cenon autonominë universitare. vërejtje kishte edhe për akreditimin e studimeve të doktoraturës dhe kriteret për tituj shkencorë.
Përmes këtij ligji sipas ministrisë synohet përgatitja e studentëve për tregun e punës, por kritikët e tij thonë se në thelb synimi është shkrirja e institucioneve dhe mbyllja e disa universiteteve.
Universiteti i Tetovës fillimet e tij i ka 31 vite me parë. ai u “ndërtua” në shtëpi private të intelektualeve dhe arsimdashësve të këtij qyteti, mbi gjakun e dëshmorëve dhe “luftës” së shqiptarëve që kërkojnë ende sot të përfaqësohet denjësisht.
Për ironi të fatit, në zemër të këtij universiteti një ministre kërkon të shmang gjuhën shqipe, ndërsa në bashkëqeveri me të sot janë edhe shqiptarët e përfaqësuar nga koalicioni vlen, që zgjedhin heshtjen për të kaluar ngjarje të tilla.


