Ministria e Jashtme ndërpret mandatin e Konsullit të Nderit indian

schedule16:15 - 25 Mars, 2019

schedule 16:15 - 25 Mars, 2019

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Ministria e Jashtme sqaron se dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e shtetasit Sandesara nuk është procedurë që ka kaluar nëpërmjet kësaj ministrie, apo është në kompetencat e këtij institucioni. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.
Reagimi i plotë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara:

Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.

Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.

Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!