Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, priti një delegacion të përbashkët të dy vendeve të BE-së, Irlandës dhe Finlandës, në të cilin bënin pjesë Ministrja e Shtetit për Çështjet e Europës të Irlandës, Helen McEntee dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Finlandës, Samuli Virtanen.
Në përbërje të këtij delegacioni të gjerë nga dy vendet, ishin edhe ambasadorët e vendeve përkatëse në Shqipëri, zyrtarë të lartë nga Ministritë e Jashtme të të dy vendeve dhe ekspertë të çështjeve të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së.
Në fokus të bisedimeve ishin reformat e ndërmarra nga vendi ynë në lidhje me integrimin në BE. Palët diskutuan gjithashtu edhe për rolin dhe punën e Ministrisë së Brendshme në kuadrin e forcimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit me synim integrimin e vendit.
Ministri Lleshaj nënvizoi rëndësinë e hapjes së negociatave këtë vit, si një vazhdimësi e natyrshme e procesit të integrimit europian të vendit e si një shtysë për vazhdimësinë e thellimin e reformave në vend.
Palët diskutuan gjithashtu edhe për mundësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe evidentuan fusha ku ky bashkëpunim mund të thellohet. Delegacioni do të bëjë takime edhe në parlamentin shqiptar si dhe në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë./abcnews.al