Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën sot në Bruksel, ku përcaktuan objektiva të reja mbi bazën e një vlerësimi realist të mjedisit aktual të sigurisë.
I pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale njoftoi se “në Ministerialin e Mbrojtjes, Korridori 8, me pikënisje në kompleksin detar Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi, u përfshi zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike të Aleancës”.
Sipas Vengut, kjo “është një arritje konkrete që pozicionon Shqipërinë në zemrën e të gjitha planeve rajonale në zemrën e infrastrukturës ku Aleanca do të përqendrohet në vitet në vijim”.
Edhe kryeministri Edi Rama, reagoi në lidhje me deklaratën e Vengut, ku theksoi se “Korridori 8, me pikënisje në kompleksin detar Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi, u njoh zyrtarisht si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive”, teksa shtoi se kjo “forcon ndjeshëm sigurinë rajonale”.
Më tej në deklaratën e tij, Vengu bëri të ditur se Ministeriali ishte një mundësi për të diskutuar me të gjithë aleatët të ardhmen operacioneve ku Shqipëria bën pjesë dhe veçanërisht operacioni i KFOR-it në Kosovë, ku po vlerësohet rritja e kapaciteteve.


