Ministri i jashtëm kroat akuzohet për ngacmim seksual: Tentoi të puthë homologen gjermane!

schedule10:15 - 6 Nëntor, 2023

schedule 10:15 - 6 Nëntor, 2023

Gjatë fotos familjare të një takimi të Ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm europianë të mbajtur në Berlin të enjten, kreu i diplomacisë kroate Gordan Grlic-Radman tentoi “të puthte në buzë” kolegen e tij gjermane Annalena Baerbock, duke krijuar një rast që ” shkaktoi një sensacion në Kroaci”.

Mediat kroate raportojnë një “moment të vështirë” dhe aktivistët e të drejtave të grave akuzojnë Grlic-Radman për mosrespektim.

“E pakëndshme për tu parë”. Kështu e komentojnë gazetat kroate dhe boshnjake momentin në të cilin ministrja gjermane largohet në mënyrë të pakëndshme nga kroati, shkruan e përditshmja kroate “Jutarnji list”.

Aktivistja për të drejtat e grave Rada Boriç foli për një “gjest krejtësisht të papërshtatshëm”, ndërsa një tjetër aktiviste e akuzoi ministrin për mungesë mirësjelljeje dhe respekti.

Ivana Kekin, një anëtare e parlamentit, tha se Grlic-Radman jo vetëm që kishte turpëruar veten, por të gjithë kroatët. Ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor gjithashtu kritikoi ministrin, duke shkruar në X se “puthja me forcë e grave quhet edhe dhunë, apo jo?”, ndërsa disa të tjerë e kanë cilësuar si ngacmim seksual.

Ndërkohë, Grlic-Radman i hodhi poshtë akuzat dhe në një konferencë për shtyp pretendoi se dëshironte të përshëndeste një kolege në mënyrë “humane”, duke qenë se “ministrat gjithmonë përshëndesin njëri-tjetrin ngrohtësisht”. Megjithatë, ministri kërkoi falje për gjestin e tij ndaj kujtdo që ndihej i ofenduar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!